Hoxha: Deri më tani procesi zgjedhor po zhvillohet pa incidente
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se deri në këtë fazë të procesit zgjedhor nuk është shënuar asnjë incident dhe se situata e sigurisë mbetet e qetë në të gjithë vendin. Hoxha shprehu shpresën që procesi të vazhdojë pa probleme deri në përfundim të tij, duke theksuar se Policia e Kosovës ka…
Lajme
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se deri në këtë fazë të procesit zgjedhor nuk është shënuar asnjë incident dhe se situata e sigurisë mbetet e qetë në të gjithë vendin.
Hoxha shprehu shpresën që procesi të vazhdojë pa probleme deri në përfundim të tij, duke theksuar se Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë.
“Deri më tani nuk ka ndodhur asnjë incident. Uroj që të vazhdojë deri në fund procesi. Sidoqoftë, masat janë marrë. Policia e Kosovës para çdo procesi zgjedhor bën një vlerësim të gjendjes së situatës bazuar në informacionet që ne i grumbullojmë dhe bazuar në përvojat e mëhershme gjatë procesit zgjedhor”, ka deklaruar Hoxha.
Ai ka bërë të ditur se vëmendje e veçantë i është kushtuar veriut të Kosovës, duke marrë parasysh sfidat dhe incidentet e së kaluarës në atë pjesë të vendit.
“Është e vërtetë që ne i kushtojmë një rëndësi të veçantë veriut të Kosovës për shkak të së kaluarës që e kemi pasur atje”, tha drejtori i Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, monitorimi i situatës po vazhdon në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa zyrtarët policorë mbeten të angazhuar për të garantuar një proces të qetë, të sigurt dhe demokratik për të gjithë qytetarët.