Pas videos me kuti votimi në Rahovec, KQZ jep sqarim të detajuar për rrethanat dhe vendndodhjen e ngjarjes

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për lajmi.net ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjete sociale ku shihen dy persona me kuti votimi, duke sqaruar rrethanat e rastit. Sipas KQZ-së, ngjarja ka ndodhur në perimetrin ku është e vendosur Qendra Komunale e Numërimit në Rahovec, ndërsa materiali që shihet në pamje është material zgjedhor…

Lajme

06/06/2026 20:16

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për lajmi.net ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjete sociale ku shihen dy persona me kuti votimi, duke sqaruar rrethanat e rastit.

Sipas KQZ-së, ngjarja ka ndodhur në perimetrin ku është e vendosur Qendra Komunale e Numërimit në Rahovec, ndërsa materiali që shihet në pamje është material zgjedhor jo-sensitiv, i cili shpërndahet një ditë para ditës së zgjedhjeve sipas procedurave të parapara.

Për vërtetimin e rrethanave, KQZ thekson se ekzistojnë pamje nga kamerat e sigurisë në zonë, kamerat e qytetit si dhe prezenca e Policisë së Kosovës, të cilat, sipas institucionit, dëshmojnë vendndodhjen dhe rrethanat faktike të ngjarjes.

Për transparencë, KQZ ka bërë të ditur se videoja është realizuar në hapësirën e parkingut të palestrës sportive ku është vendosur Qendra Komunale e Numërimit në Rahovec.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në prononcim për lajmi.net, ka deklaruar:

“Pas publikimit të një videoje në rrjete sociale të dy personave me një kuti votimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ka ndërmarrë masat për të sqaruar këtë situatë.

Është evidentuar se ngjarja e paraqitur në video ka ndodhur në perimetrin ku është e vendosur Qendra Komunale e Numërimit në Rahovec dhe materiali zgjedhor që shihet në pamje, është material zgjedhor jo-sensitiv, i cili sipas procedurave të parapara shpërndahet një ditë para ditës së zgjedhjeve.

Për vërtetimin e rrethanave të ngjarjes ekzistojnë pamjet e kamerave të sigurisë, të vendosura në pjesën e jashtme të palestrës sportive, pamjet e kamerave të qytetit si dhe prezenca e Policisë së Kosovës në vendin e ngjarjes, të cilat dëshmojnë qartë vendndodhjen dhe rrethanat faktike.

Për qëllime të transparencës dhe sqarimit të plotë të situatës, po bashkangjesim fotografinë e lokacionit ku është realizuar video, nga e cila shihet qartë se ngjarja ka ndodhur në hapësirën e parkingut të palestrës ku është vendosur Qendra Komunale e Numërimit në komunën e Rahovecit.”./lajmi.net/