Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për të dyshuarin për fajde, një tjetër në arrati

Prokuroria Themelore në Prizren ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të dyshuari për veprën penale “fajdeja”, ndërsa një tjetër person i përfshirë në të njëjtin rast është në arrati dhe po kërkohet nga organet e rendit. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit, në bashkëkryerje, kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës,…

Lajme

06/06/2026 17:02

Prokuroria Themelore në Prizren ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të dyshuari për veprën penale “fajdeja”, ndërsa një tjetër person i përfshirë në të njëjtin rast është në arrati dhe po kërkohet nga organet e rendit.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit, në bashkëkryerje, kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës, duke kontraktuar dhe përfituar shuma të konsiderueshme parash në mënyrë joproporcionale me huanë e dhënë, transmeton lajmi.net.

Hetimet tregojnë se në vitin 2021 është lidhur një marrëveshje huazimi në vlerë prej 50 mijë eurosh, e cila dyshohet se është shoqëruar me kamata mujore dhe kushte të rënda financiare. Më pas, viktima dyshohet se ka kthyer rreth 150 mijë euro, pa përfshirë borxhin fillestar.

Në kuadër të rastit, Prokuroria po heton edhe një person tjetër për “manipulim me prova”, nën dyshimin se ka tentuar të pengojë apo vështirësojë procedurën penale.

Prokuroria ka theksuar se, duke marrë parasysh rrezikun e ndikimit në dëshmitarë dhe mundësinë e ikjes, ka kërkuar nga gjykata caktimin e paraburgimit për të dyshuarin e arrestuar, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Komunikata e plotë:

Prokuroria Themelore në Prizren njofton opinionin publik se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të pandehuri për kryerjen e veprës penale “Fajdeja”, ndërsa një person tjetër i dyshuar për të njëjtën vepër penale gjendet në arrati dhe është në kërkim nga organet kompetente.

Sipas dyshimeve të bazuara që rezultojnë nga hetimet e deritanishme, personat e dyshuar kanë vepruar në bashkëkryerje duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, me ç’rast kanë kontraktuar dhe përfituar shuma dukshëm joproporcionale në raport me huanë e dhënë.

Nga hetimet e zhvilluara, rezulton se në shtator të vitit 2021 është lidhur një marrëveshje huazimi në shumën prej 50,000 euro, me kushte të rënda financiare për të dëmtuarin, duke përfshirë kamata mujore dhe përfitime të konsiderueshme pasurore në favor të të pandehurve. Më pas, përmes kërkesave të vazhdueshme për pagesë dhe presionit të ushtruar ndaj familjarëve të të dëmtuarit, është kërkuar kthimi i shumave shumëfish më të larta se huaja fillestare.

Sipas hetimeve, të dëmtuarit dyshohet se kanë paguar gjithsej rreth 150,000 euro pa llogaritur  borxhin bazë.

Po ashtu, Prokuroria është duke zhvilluar hetime edhe ndaj një personi tjetër, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Manipulimi me prova”, për shkak të dyshimeve se ka ndërmarrë veprime me qëllim të pengimit ose vështirësimit të procedurës penale dhe administrimit të drejtë të provave.

Prokurori i Shtetit, duke vlerësuar rrethanat e rastit, peshën e veprave penale, rrezikun e ndikimit në dëshmitarë, mundësinë e pengimit të procedurës penale si dhe rrezikun e ikjes, ka kërkuar nga gjykata kompetente caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit të arrestuar.

Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që cenojnë sigurinë juridike dhe ekonomike të qytetarëve dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe do të jetë e përkushtuar në luftën kundër fajdeve./lajmi.net/