Policia dhe Prokuroria me komunikatë të përbashkët: Janë arrestuar tetë persona për ndërhyrje në procesin zgjedhor
Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë bërë të ditur se janë duke trajtuar një numër të konsiderueshëm informacionesh që lidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme që synojnë ndikimin në procesin zgjedhor në Kosovë. Përmes një komunikate të përbashkët, institucionet theksuan se mbeten të përkushtuara në mbrojtjen…
Lajme
Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë bërë të ditur se janë duke trajtuar një numër të konsiderueshëm informacionesh që lidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme që synojnë ndikimin në procesin zgjedhor në Kosovë.
Përmes një komunikate të përbashkët, institucionet theksuan se mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe integritetit të zgjedhjeve, duke e cilësuar çdo ndërhyrje të jashtme si kërcënim serioz për demokracinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve, transmeton lajmi.net.
Sipas njoftimit, më 19 maj 2026 janë arrestuar shtatë persona në komunën e Graçanicës, të dyshuar për veprat penale që lidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik.
Ndërkaq, më 4 qershor 2026 është arrestuar edhe një person tjetër në të njëjtën komunë, nën dyshimin për marrje dhe dhënie ryshfeti në lidhje me votimin.
Policia dhe Prokuroria vlerësuan se këto veprime dëshmojnë përpjekjet për ndërhyrje në procesin zgjedhor, por njëkohësisht edhe vendosmërinë e institucioneve për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe për të parandaluar çdo ndikim të kundërligjshëm në vullnetin e votuesve.
Institucionet njoftuan se po vazhdojnë hetimet dhe monitorimin e aktiviteteve që mund të cenojnë integritetin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.
Në fund, Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u bënë thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e votës lirshëm, pa presion dhe pa frikë, si dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të kërcënimit, presionit apo ndërhyrjeve të kundërligjshme në procesin zgjedhor.