Ardian Gjini: Vizita nga ambasada amerikane konfirmon konsistencën tonë, kush është anti-amerikan është anti-Kosovë
Kryetari i Aleancës dhe kandidati për kryeministër i Kosovës, Ardian Gjini, ka komentuar zhvillimet e fundit diplomatike dhe takimin ekskluziv me të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-së, Annu Prattipati. Gjini ka vlerësuar lartë këtë zhvillim diplomatik në prag të zgjedhjeve, duke e cilësuar si një rikonfirmim të rreshtimit të drejtë dhe historik të…
Lajme
Kryetari i Aleancës dhe kandidati për kryeministër i Kosovës, Ardian Gjini, ka komentuar zhvillimet e fundit diplomatike dhe takimin ekskluziv me të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-së, Annu Prattipati.
Gjini ka vlerësuar lartë këtë zhvillim diplomatik në prag të zgjedhjeve, duke e cilësuar si një rikonfirmim të rreshtimit të drejtë dhe historik të Aleancës me partnerët strategjikë.
“Jam i lumtur që e ngarkuara me punë ka ardhur në Aleancë dhe më ka takuar. Unë e marr këtë si një konfirmim të konsistencës së Aleancës. Historikisht, në vazhdimësi, edhe gjatë udhëheqjes së kryetarit Haradinaj, gjithmonë kemi qenë të bindur se kthetrat e padukshme, për një kohë të gjatë, e kanë penguar Kosovën të marrë vendime afatgjata për veten,” ka thënë Gjini për T7.
Më tej, kandidati për kryeministër ka goditur ashpër vendimet e qeverisë në ikje lidhur me bllokimin e projekteve të mëdha energjetike të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar ato si goditje direkte ndaj interesave kombëtare të vendit.
“Të refuzosh gazin amerikan dhe të mbyllësh termocentralin me qymyr, që ka qenë investim amerikan, do të thotë të jesh kundër Kosovës, kundër të ardhmes së këtij shteti,” u shpreh ai.
Në përmbyllje të deklaratës së tij, Gjini ka dhënë një mesazh të prerë mbi orientimin gjeopolitik të Republikës së Kosovës dhe rëndësinë e ruajtjes së raporteve të shenjta me Uashingtonin.
“Nëse një kosovar është anti-amerikan, në thelb është anti-Kosovë. Thelbi i të qenit anti-amerikan në Kosovë është të jesh kundër Kosovës,” ka përfunduar kryetari i Aleancës, Ardian Gjini.