“Hetimi po zhvillohej nga rasti më 2025”-“Suspendimin e bëri drejtori me rekomandim të IPK-së”- Detajet e Inspektoratit policor për suspendimin e rreshterit të Mbrojtjes së Afërt, Millaku

Një suspendim i rekomanduar nga Inspektorati Policor i Kosovës e më pas i miratuar nga Policia e Kosovës është bërë së fundi. Bëhet fjalë për një prej rreshterëve të Policisë së Kosovës, që funksionon në kuadër të Drejtorisë së Mbrojtjes së Afërt. Më saktësisht rreshteri Gëzim Millaku është suspenduar nga Policia e Kosovës gjatë ditëve…

Lajme

05/06/2026 15:27

Një suspendim i rekomanduar nga Inspektorati Policor i Kosovës e më pas i miratuar nga Policia e Kosovës është bërë së fundi.

Bëhet fjalë për një prej rreshterëve të Policisë së Kosovës, që funksionon në kuadër të Drejtorisë së Mbrojtjes së Afërt.

Më saktësisht rreshteri Gëzim Millaku është suspenduar nga Policia e Kosovës gjatë ditëve që lamë pas e kjo gjë është bërë e ditur edhe në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga Policia e Kosovës.

Anipse prej disa ditësh lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje si nga Inspektorati, Policia e deri tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, këta të fundit ishin në heshtje të përgjithshme.

Duke mos dhënë asnjë detaj shtesë, në përgjigje vetëm u tha se në fakt rekomandimi për suspendim erdhi nga Inspektorati.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, lidhur me rastin në fjalë, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor dhe i njëjti bazuar në këto rekomandime është suspenduar nga PK-ja”,thuhet në përgjigje.

E nga Inspektorati Policor i Kosovës zgjodhën që të përgjigjeshin pak më gjerësisht.

Nga IPK-ja u tha se rekomandimi për suspendim u dorëzua në Policinë e Kosovës para 11 ditëve.

Gjithashtu Inspektorati Policor saktësoi se suspendimi i Gëzim Millakut u bë nga drejtori i Përgjithshëm, Gazmend Hoxha. Përpos kësaj Inspektorati theksoi për lajmi.net se hetimi ndaj Millakut po bëhet me deklarimet kundërthënëse në lidhje me rastin e vitit 2025.

“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju konfirmon se në interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor dhe i njëjti bazuar në rekomandimin e IPK-së është suspenduar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Rekomandimi për suspendim është dorëzuar nga IPK në PK para 11 dite”,thuhet në përgjigje.

“Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me deklarimet kundërthënëse lidhur me rastin e vitit 2025”,thuhet tutje.

Kësisoj shkarkimi i Millakut u kërkua më 25 maj, apo 7 dite pas deklarimit të Kurtit në lidhje me siç thotë ai “atentatin” në Skenderaj.

Por për cilin rast bëhet fjalë…?

Gjithçka nisi në janar të vitit 2025. Më saktësisht më 28 janar të këtij viti kur ishte vetë ministrja e asokohe e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila përmes një postimi në Facebook pati thënë se nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka tentuar të sulmojë personalisht eskortën e kryeministrit Albin Kurti.

Haxhiu tha se Lushtaku ka qenë me veturë zyrtare, me targa 02Z, në momentin kur “e ka prerë rrugën e veturës së kryeministrit me qëllim sulmin”.

“Sami Lushtaku mbrëmë personalisht ka tentuar të sulmojë eskortën e Kryeministrit. Ai me veturë zyrtare, 02Z, të Komunës së Skënderajt, e ka pre rrugën e veturës së Kryeministrit me qëllim sulmin”, ka thënë Haxhiu.

Ajo madje pati ka deklaruar se gazetarët do të ishte mirë ta pyesnin nënkryetarin e Skenderajt se në cilën pompë të benzinës “i ke komanduar huliganët”, të cilët sipas saj, tentuan ta pengonin tubimin e Vetëvendosjes në Skenderaj.

“Dëgjova që disa gazetarë të Klan Kosovës e kanë pyetur Kryeministrin se po i përdorë veturat zyrtare, ndoshta është mirë me e pyetë Saminë se prej cilës pompë të benzinës i ke komandu huliganët tu, para se të nisesh si i frustruar”, ka thënë ajo.

E kjo çështje nuk u mbyll me kaq….

Në fakt si fillim rasti ishte raportuar edhe në Polici. Më saktësisht rasti ishte raportuar nga Mbrojtja e Afërt e kryeministrit Albin Kurti, por që gjithçka kishte marrë kthesë tjetër pasi siç u raportua më pas ishte pikërisht rreshteri Gëzim Millaku i cili dyshohet se kishte ndryshuar deklaratën e tij për këtë rast.

Një ditë pas padisë për “shpifje” që kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka ushtruar ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me deklaratat e këtij të fundit se eskorta e tij u rrezikua nga Lushtaku, në dalje të Skenderajt, pas një tubimi elektoral, RTK raportoi mbi raportin zyrtar të Policisë së Kosovës lidhur me incidentin e ndodhur më 27 janar 2025.

Sipas këtij raporti rasti është iniciuar më 27.01.2025 rreth orës 19:15, kur Stacioni Policor në Skenderaj u njoftua nga Njësia Policore e Mbrojtjes së Afërt lidhur me këtë incident. Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 18:37, menjëherë pas përfundimit të një tubimi elektoral të kryeministrit Kurti në Skenderaj, gjatë rrugës në drejtim të fshatit Polac, teksa për rastin ishte njoftuar përmes telefonit edhe prokurorja e shtetit në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Ajtene Zoni.

Në raportin fillestar thuhej se zyrtari policor i mbrojtjes së afërt, rreshteri Gëzim Millaku, kishte deklaruar përmes telefonit se një veturë kishte rrezikuar eskortën e kryeministrit Kurti në dalje të Skenderajt, duke tentuar të hyjë në mes të eskortës.

“Kemi kontaktuar me telefon në numrin 044 ****** me Rr. Gëzim Millaku, zyrtar policor i Mbrojtjes së Afërt, i cili përmes telefonit tha se vetura ka dalë nga parkingu i pompës së derivateve ‘*** Petrol’ në dalje të Skenderajt, drejtimi për Polac, dhe e ka rreziku eskortën, duke tentuar të hyjë në mes të eskortës, dhe ashtu për një distancë ka vazhduar paralel me veturën policore të trafikut, rruga me dy korsi. Nga rr. Gëzim Millaku është kërkuar që nga ana e tyre të përpilohet raport policor lidhur me rastin. Prokurorja e Shtetit është njoftuar me informatën fillestare. Pastaj i kemi shikuar kamerat e qytetit, dhe nga video incizimet shihet se rreth orës 18:37 nga ‘***Petroli’ del një makinë, që besohet të jetë vetura që ka rrezikuar, dhe sapo kalon vetura e policisë që i prin eskortës me rrotativë ndezur, vetura e dyshuar kyçet në rrugë në momentin kur vjen vetura e dytë e eskortës dhe ashtu paralel me të vazhdon në drejtim të Polacit”, thuhet në raportin policor.

Megjithatë, një ditë më pas, më 28 janar 2025, në orën 11:11, rreshteri Gëzim Millaku dërgoi raportin zyrtar të shkruar përmes email-it, ku e paraqiti një version tjetër nga deklarata e dhënë një ditë më herët me telefon prokurores nga momenti i ngjarjes. Arsyet pse deklarata e shkruar e rreshterit në fjalë ndryshoi nga deklarimi fillestar në telefon nuk janë sqaruar, teksa nga raporti nuk evidentohet ndonjë veprim i mëtejmë i prokurores lidhur me këtë ndryshim të deklaratës.

“Vetura e dyshuar përveçse ka bërë kyçje të vrullshme nuk e ka rrezikuar eskortën dhe nuk ka pas rrezik të drejtpërdrejtë, mirëpo kërkesa e tyre për ta ndal veturën e dyshuar për verifikim është në përputhje me standardet e larta të sigurisë që aplikohen në raste të tilla. Është marrë në pyetje si dëshmitar z. Sami Lushtaku i cili ka deklaruar se është nisur për në Prishtinë dhe është ndalë në marketin e pompës ‘*** Petrol’ të marrë ujë dhe kur është kyç në rrugë është kyç me kujdes të shtuar dhe me shpejtësi të ngadaltë pa e penguar askënd në trafik, në fakt kjo përputhet edhe nga pamja e video incizimeve, duke shtuar se nuk ka pas kurrfarë qëllimi ta pengojë policinë”, thuhet në raportin policor.

Tutje në raport theksohet se pas analizimit të video-incizimeve, raportit policor dhe duke e pasur parasysh faktin se qarkullimi i trafikut në atë pjesë mund të zhvillohet në dy shirita qarkullues, por edhe deklaratës së Sami Lushtaku, vihet në përfundim se ky i fundit me veprimet tij të kyçjes në rrugë me veturën 02Z-66-21 nuk ka kryer rrezikim të trafikut publik.

“Prandaj, në konsultim me prokurorin në këtë rast nuk kemi elemente të ndonjë vepre penale apo kundërvajtje kundër sigurisë së trafikut publik dhe rasti mbetet me shënim zyrtar për informim në Operativën e Stacionit Policor në Skenderaj”, thuhet në fund të raportit policor.

E mbi këtë çështje lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Prokuroria e Shtetit. Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftuan se ky rast nuk lidhet me ta, kurse nga Prokuroria Speciale nuk u përgjigjën fare nëse ishin intervistuar pjesëtarët e tjerë të Mbrojtjes së Afërt të cilit kishin qenë atë ditë duke u përkujdesur mbi sigurinë e kryeministrit.

E këtë ngjarje në fakt e riktheu kryeministri në detyrë, Albin Kurti ditë më parë.

Gjatë një paraqitje të tij në KTV, Kurti tha se ishte Sami Lushtaku ai që tentoi ta godiste eskortën.

“Me 31 janar 2025, u synua pamundësimi i Tubimit të LVV-së në Skenderaj, ka pasur dhunë kundër neve. Kryetari i Komunës së Skenderajt me veturë zyrtare 2Z,  ka synuar të bëjë ndeshje komunikacioni me eskortën ku ndodhesha unë…Por nuk bëhet shumë e madhe kjo”, tha Kurti.

“Dmth tri vetura ishin aty”, u shpreh Kurti.

Ju ka synuar juve? U pyet nga gazetari.

“Nuk e di, ndonjë prej truprojave të mia thoni ju? Kam qenë vetëm unë dhe mbrojtja e afërt, vetëm nëse ka diçka me ndonjë polic të mbrojtjes së afërt, atëherë mund të thoni që nuk e ka pasë me mua”, tha Kurti.

“Ka synuar ta ndërprejë qarkullimin me eskortë me veturë zyrtare. Ka proces policor për këtë gjë, por nuk është arrestuar aty”, tha ai.

“Në anën tjetër e pat zv/ministrin e Financave, Hynsi Mehani, “është djalë intelektual…është trim, ai qarkullon lirshëm nëpër Skenderaj, pavarësisht kërcënimeve. Kur është ndodhur në të njëjtën hapësirë me kryetarin e Komunës, ata e kanë sulmuar fizikisht, ka edhe incizime…”, tha ai.

Sipas Kurtit, “Egzon Azemi dhe Arlind Manxhuka janë dënuar për statuse në Facebook. Ta shohim këta sa do dënohen që e sulmuan dhe e përgjaken Hysni Mehanin”.

Ai tha “ta shohim sa do dënohet se në stacion policor shkon”, për Lushtakun.

E për këto akuza u deklarua më pas edhe vetë Lushtaku, i cili mohoi rastin në tërësi teksa tha se për shkarkimin e Millakut u njoftua përmes raportimeve të mediave.

Si rrodhi rasti?

Tani, disa ditë nga vendimi për suspendimin e rreshterit Millaku në publik ky vendim i Policisë së Kosovës për shkarkimin e tij është parë si “hakmarrje e pushtetit”.

Edhe pse nga Inspektorati Policor i Kosovës deklaruan se deri tek suspendimi çoi “ndryshimi i deklaratës së tij mbi rrezikun e paraqitur”

Por Gëzim Millaku nuk ishte veç rreshter policor. Millaku në fakt drejtonte një nga grupacionet e Mbrojtjes së Afërt të kryeministrit në detyrë Albin Kurti prej disa vitesh.

Mbrojtja e Afërt e Policisë së Kosovës është Njësi e Specializuar e Policisë së Kosovës e cila vihet në shërbim të ofrimit të sigurisë së shtuar ndaj çdo figure të lartë shtetërorë që konsiderohet me rrezikshmëri të lartë. Kësisoj të njëjtit kanë punuar me kryeministra të kaluar, me ish-presidentë e me ish-kryetar Kuvendi. E të njëjtit janë në shërbim të sigurisë për zyrtarët shtetërorë tani, e atyre të ardhshëm. Të njëjtit nuk janë si truproje nga ndonjë kompani private, por nga Policia e shtetit të Kosovës e të certifikuar dhe të dalë të diplomuar nga përfundimi i akademive të shumta e të veçanta për këtë njësi./Lajmi.net/