Incidentet “simpatike” të së mërkurës në Kosovë – ikje nga burgu e policia, vjedhje motoçiklete e shpërthim gomash…
Incidente të çuditshme kanë ndodhur të mërkurën në Kosovë, për sa i përket sigurisë publike. Një person u arrestua e u lirua më pas, në Graçanicë, ani se paraprakisht “guxoi” e u iku policëve, nëpër shtëpitë përreth. Teksa po tentonte ta “shpëtonte” veten, ai hodhi në tokë disa gjëra, duke përfshirë një pistoletë më fishekë…
Lajme
Incidente të çuditshme kanë ndodhur të mërkurën në Kosovë, për sa i përket sigurisë publike.
Një person u arrestua e u lirua më pas, në Graçanicë, ani se paraprakisht “guxoi” e u iku policëve, nëpër shtëpitë përreth. Teksa po tentonte ta “shpëtonte” veten, ai hodhi në tokë disa gjëra, duke përfshirë një pistoletë më fishekë dhe “pakëz” substancë narkotike, të cilat iu konfiskuan.
Në Prishtinë, janë arrestuar e më pas liruar dy veta, që ishin rrahur mes vete. Po ashtu, në kryeqytet, një mashkull u kap e u lëshua nga policia, nen dyshimin se u “tregua burrë” duke ushtruar dhunë ndaj një viktime femër.
E një grua tjetër pati telash ndryshe në Prishtinë. Halli i saj ishte se iu vodh motoçikleta, për çfarë raportoi policinë e cila u desh të dërgojë në vendngjarje të këtij incidenti edhe ekipe të forenzikës.
Në komunën fqinje, Lipjan, ndodhi diçka edhe më e papritur. Këtu, gardianëve të Qendrës Korrektuese Edukuese u ikën dy persona. Policia i gjeti, arrestoi e ktheu ata në “burgun shkollor”. Por, për ta bërë këtë, u desh një ndërmarrë një veprim taktiko-operativ.
Nuk dihet nëse ishte i përmasave të tilla, por një veprim tjetër policor, që u krye në Drenas, rezultoi me një person të dërguar prapa grilave. Kjo pasi gjatë kontrollit të veturës në të cilën ai ndodhej me një bashkudhëtar, e pastaj edhe shtëpisë së tij, iu gjet e sekuestruan mbi 15 gramë marihuanë. Vlera e saj u konstatua te ketë qenë 3 mijë e 550 euro.
188.9 gramë narkotikëve në vlerë prej 2 mijë eurosh për pak sa nuk ia pa sherrin edhe një “diler” për të cilin policia në Ferizaj dyshohet që shet e blen substanca të tilla. Ai shpëtoi e nuk u kap nga forcat e rendit, pasi kur e kuptoi se e vërejtën, e “mbushi” makinën gaz dhe me vrull iku nga ta, “në drejtim të panjohur”.
Në komunën tjetër të madhe të Republikës, në Gjilan, u arrestua një person i cili po kërkohej që gati tri javë. I njëjti dyshohet se më 14maj kishte sulmuar me mjet të fortë në kokë një viktimë, të cilës i kishte shkaktuar lëndime, duke e bërë të kërkojë ndihmë mjekësore.
Forcave të rendit në Istog u rastisi të merren me një rast edhe më të rrallë, Kjo pasi atyre iu ankua një person se dikush ia kishte dëmtuar e shpërthyer gomat e makinës, të cilën e kishte lënë në një parking. Ky “dikushi” nuk është gjetur ende nga policia, e cila, sikur edhe në shumë raste tjera, tha se po i vazhdon hetimet.
Goxha më serioz, për sa i përket sigurisë, ishte një rast tjetër me të cilin u sfidua policia në Gjakovë. Madje, u desh që në ndihmë të ftohet edhe FSK-ja. Kjo pasi një patrullë, gjatë kryerjes së punës së saj, hasi në një mjet të dyshuar shpërthyes. Siç e do protokolli, vendi u rrethua e siguria, për ta “dorëzuar” atë për ekzaminim e deminuesit e Forcës së Sigurisë.
Për ushtrinë e Kosovës nuk pati nevojë në Vushtrri, ani se edhe këtu u gjet e sekuestrua një armë goxha “serioze” – M48 me tre fishekë. Personi te i cili u gjet ajo nuk u mbajt prapa grilave, por u la i lirë, pasi kështu vendosi prokurori që u konsultua për këtë rast.
Në Vushtrri rastisi edhe një ngjarje jo gjithaq e rrallë, tashmë. Një ankues ka raportuar te forcat e këtushme të rendit se një “viktimë femër” është larguar nga shtëpia e saj dhe nuk është kthyer. Ajo vazhdoi të jetë e “pagjetur” deri të enjten, ndërsa hetimet për rastin e saj, siç njoftoi policia, po vazhdojnë.
Kolegët e policëve vushtrrias që punojnë në pikën kufitare të Jarinjes, ishin “syçelë”, të mërkurën, pasi i hetuan dhe i konfiskuan disa dokumente të falsifikuara. Ato o gjetën në një veturë me targa të Serbisë, në të cilën ndodheshin dy shtetas të këtij vendi. Ata u intervistuan si dëshmitarë, por nuk u arrestuan, pasi u lanë të lirë në atë që njihet si procedurë e rregullt./kp