Gjykata Supreme: Kushtetuesja nuk e ka rrëzuar aktgjykimin për liberalizimin e tregut të energjisë
Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve të fundit në media, duke sqaruar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka të bëjë me aktgjykimin e saj për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike dhe kërkesëpadinë e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK). Përmes një komunikate, Supremeja thekson se pretendimet se “Gjykata Kushtetuese ka…
Lajme
Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve të fundit në media, duke sqaruar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka të bëjë me aktgjykimin e saj për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike dhe kërkesëpadinë e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).
Përmes një komunikate, Supremeja thekson se pretendimet se “Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Supreme për tregun e lirë të energjisë” janë të pasakta. Sipas saj, vendimi i Kushtetueses i referohet një aktvendimi tjetër të Gjykatës Supreme, me të cilin ishte hedhur poshtë si e palejueshme një padi administrative e një paditësi tjetër.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i referohet aktgjykimit P.A.nr.18/2025, me të cilin ishte aprovuar padia administrative e Odës Ekonomike të Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE)”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Supreme.
Institucioni gjyqësor rikujton se aktgjykimi P.A.nr.18/2025 mbetet në fuqi dhe paraqet një çështje të veçantë, e cila nuk është objekt i vendimit të fundit të Kushtetueses.
Postimi i plotë:
Sqarim lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kthimin në rishqyrtim të vendimit të Gjykatës Supreme për tregun e lirë të energjisë elektrike
Prishtinë, 4 qershor 2026 – Gjykata Supreme e Kosovës informon opinionin publik se raportimet sipas të cilave “Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Supreme për tregun e lirë të energjisë dhe e ka kthyer çështjen në rishqyrtim”, nuk i referohen aktgjykimit të Gjykatës Supreme me të cilin ishte aprovuar padia administrative e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Për sqarim, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka të bëjë me një aktvendim tjetër të Gjykatës Supreme, përmes të cilit ishte hedhur poshtë si e palejueshme padia e një paditësi, me arsyetimin se akti i kontestuar nuk përmbante elementet e një akti nënligjor normativ dhe, rrjedhimisht, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për shqyrtimin e tij në procedurë administrative.
Linku i aktvendimit të kthyer në rivendosje:
Ndërkaq, aktgjykimi i Gjykatës Supreme P.A.nr.18/2025, i cili ka të bëjë me kërkesëpadinë e Odës Ekonomike të Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), mbetet një çështje e veçantë dhe nuk është objekt i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të cilin po raportohet.
Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme kishte aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e OEK-së dhe kishte:
shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të datës 18 janar 2017;
shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë.
Linku i aktgjykimit:
Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, Gjykata Supreme kishte konstatuar se mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe dispozitave të akteve nënligjore normative kishin krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike. Sipas vlerësimit të gjykatës, kjo situatë e bënte të domosdoshme ndërhyrjen gjyqësore për interpretim të unifikuar të normave dhe për mbrojtjen e parimit të sigurisë juridike, si dhe të trajtimit të barabartë në tregun e energjisë elektrike.
Për hir të informimit të drejtë, të saktë dhe të plotë të opinionit publik, ju ftojmë që ta publikoni këtë sqarim.
Për më tepër, bashkëngjitur gjeni komunikatën lidhur me aktgjykimin P.A.nr.18/2025: