Lushtaku shpreh ngushëllime për vdekjen e të dy të rinjve në Shëngjin

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet e tij pas vdekjes tragjike të dy të rinjve kosovarë, Leonit Aliu dhe Jetmir Binaku, të cilët humbën jetën në Shëngjin të Shqipërisë. Përmes një mesazhi ngushëllimi, Lushtaku tha se me pikëllim të thellë ka pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të Leonit…

Lajme

04/06/2026 11:01

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet e tij pas vdekjes tragjike të dy të rinjve kosovarë, Leonit Aliu dhe Jetmir Binaku, të cilët humbën jetën në Shëngjin të Shqipërisë.

Përmes një mesazhi ngushëllimi, Lushtaku tha se me pikëllim të thellë ka pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të Leonit Aliut nga Rezalla e Skenderajt, duke e cilësuar humbjen e tij si një dhimbje të madhe për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin.

Ai u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Aliu, duke theksuar se kujtimi për Leonitin do të mbetet i paharruar te të gjithë ata që e njohën.

Njëkohësisht, Lushtaku ka shprehur solidaritet dhe ngushëllime edhe për familjen Binaku nga Gllobari i Drenasit, pas humbjes së Jetmir Binakut në të njëjtën ngjarje tragjike.

“Dhimbja për humbjen e këtyre dy të rinjve është e madhe dhe prek secilin prej nesh. Në këto momente të rënda, qëndrojmë pranë familjeve Aliu dhe Binaku, duke ndarë me ta pikëllimin për këtë humbje të rëndë”, thuhet në mesazhin e Lushtakut.

Ai u lut që familjet e të ndjerëve të gjejnë forcë për ta përballuar dhimbjen, ndërsa kujtimi për Leonitin dhe Jetmirin të mbetet i përhershëm në mesin e të afërmve dhe miqve të tyre. /Lajmi.net/