Paraburgim për të dyshuarin që theri me thikë një të mitur dhe ia grabiti paratë në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj A.M., i dyshuar për veprën penale të grabitjes, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Themelore. Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, në afërsi të këndit të lojërave në Gjakovë, ku i pandehuri dyshohet se…

Lajme

04/06/2026 10:22

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj A.M., i dyshuar për veprën penale të grabitjes, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Themelore.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, në afërsi të këndit të lojërave në Gjakovë, ku i pandehuri dyshohet se së bashku me dy të mitur të tjerë ka sulmuar një të mitur dhe i ka marrë me forcë paratë.

Sipas dyshimeve, A.M. ka vepruar si pjesë e një grupi të armatosur dhe gjatë incidentit e ka goditur disa herë me thikë viktimën E.B., të lindur në vitin 2009. Më pas, së bashku me bashkëkryerësit, dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht dhe i kanë marrë çantën, në të cilën ndodheshin 115 euro.

Si pasojë e sulmit, i mituri ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat janë konfirmuar edhe nga Spitali Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke vendosur që masa të zgjasë nga 2 qershori deri më 1 korrik 2026.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Lajmi.net/