Hamza prezanton programin: Më shumë paga, investime dhe mbështetje për familjet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video të re elektorale, përmes së cilës paraqet vizionin e tij për zhvillimin e Kosovës dhe tejkalimin e sfidave me të cilat, sipas tij, po përballen qytetarët. Në videon e publikuar, Hamza ndalet te çështjet që prekin përditshmërinë e qytetarëve,…

Lajme

04/06/2026 10:05

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video të re elektorale, përmes së cilës paraqet vizionin e tij për zhvillimin e Kosovës dhe tejkalimin e sfidave me të cilat, sipas tij, po përballen qytetarët.

Në videon e publikuar, Hamza ndalet te çështjet që prekin përditshmërinë e qytetarëve, duke përmendur rritjen e çmimeve, faturat e energjisë, pagat e ulëta dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.

Sipas tij, Kosova po përballet me sfida në ekonomi, energji, infrastrukturë dhe në krijimin e mundësive për qytetarët, ndërsa thekson se vendi ka nevojë për një qeverisje që fokusohet te zhvillimi dhe mirëqenia.

Hamza prezanton një vizion që përfshin paga dhe pensione më të larta, mbështetje për bizneset, investime në energji dhe infrastrukturë, si dhe përmirësim të shërbimeve në shëndetësi dhe arsim.

Ai thekson se familjet kosovare duhet të kenë më shumë siguri ekonomike, ndërsa të rinjtë më shumë mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Kosovë.

Në fund të mesazhit të tij, kandidati i PDK-së u bën thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit të mbështesin programin e partisë së tij, duke e paraqitur atë si alternativë për ndryshim dhe zhvillim të vendit. /Lajmi.net/