Hoti: Sigurimet shëndetësore mbeten premtim pas pesë vitesh qeverisje të Vetëvendosjes
Kandidati i LDK-së për deputet, Avdullah Hoti, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po bën propagandë me çështjen e sigurimeve shëndetësore, duke theksuar se qytetarët ende nuk po e ndjejnë në praktikë funksionimin e këtij sistemi. Përmes një reagimi publik, Hoti tha se nuk përbën sukses shpallja e themelimit të një mekanizmi që, sipas tij, është…
Lajme
Kandidati i LDK-së për deputet, Avdullah Hoti, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po bën propagandë me çështjen e sigurimeve shëndetësore, duke theksuar se qytetarët ende nuk po e ndjejnë në praktikë funksionimin e këtij sistemi.
Përmes një reagimi publik, Hoti tha se nuk përbën sukses shpallja e themelimit të një mekanizmi që, sipas tij, është paraparë me ligj që nga viti 2014.
“Nuk është sukses të shpallësh themelimin e asaj që ekziston në ligj prej vitit 2014. Sukses do të ishte që qytetari të hynte në spital me kartelë sigurimi shëndetësor në dorë, e jo me kuletë në xhep”, ka deklaruar ai.
Hoti theksoi se Fondi i Sigurimit Shëndetësor është paraparë me Ligjin për Sigurimin Shëndetësor para më shumë se një dekade dhe se, sipas tij, mosfunksionalizimi i tij dëshmon për dështimin e qeverisë në këtë sektor.
Sipas tij, qytetarët kanë të drejtë të dinë pse sigurimet shëndetësore nuk janë bërë ende funksionale, si dhe kur do të nisë mbulimi i shpenzimeve mjekësore dhe i barnave përmes fondit.
Ish-kryeministri vlerësoi se funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore do të sillte lehtësim të konsiderueshëm financiar për familjet kosovare, duke llogaritur se kursimet mund të arrijnë deri në rreth 100 euro në muaj për secilën familje. /Lajmi.net/