Përdorimi i të miturës në tubimin e LDK-së në Viti, IKD dorëzon ankesë në PZAP
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ankesë ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) lidhur me përdorimin e një fëmije nën moshën 15-vjeç në tubim zgjedhor në Viti. Në ankesë thuhet se IKD vlerëson se në rastin konkret, kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, ka përfshirë…
Lajme
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ankesë ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) lidhur me përdorimin e një fëmije nën moshën 15-vjeç në tubim zgjedhor në Viti.
Në ankesë thuhet se IKD vlerëson se në rastin konkret, kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, ka përfshirë aktivisht një fëmijë në një tubim politik gjatë fushatës, duke i mundësuar paraqitjen në skenën qendrore të tubimit, mbajtjen e flamurit të LDK-së dhe ekspozimin e tij para pjesëmarrësve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Për këtë, IKD pretendon se LDK-ja ka shkelur Rregulloren Zgjedhore Nr. 07/2024 për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin e fushatës së zgjedhjeve dhe deklarimin financiar, andaj edhe ka kërkuar që PZAP të shqiptojë gjobë ndaj këtij subjekti politik.
IKD thekson në ankesë se të mërkurën më 3 qershor 2026, ka pranuar informacione se gjatë një tubimi të subjektit politik, LDK të mbajtur në po të njëjtën ditë, në Viti, në aktivitetin e fushatës është përfshirë aktivisht një fëmijë nën moshën 15-vjeç.
Në ankesë thuhet se IKD ka shikuar video nga ky tubim, në të cilën video shihet kryetari i LDK-së, Abdixhiku, duke i dhënë hapësirë në skenë një vajze.
Sipas IKD-së, në video shihet se vajza është ngjitur në skenë me flamurin e LDK-së, ndërsa Abdixhiku i është drejtuar publikisht duke i kërkuar që flamurin ta mbajë lart.
“Pas këtij udhëzimi, vajza vazhdon të qëndrojë në skenë duke ekspozuar flamurin e subjektit politik para pjesëmarrësve të tubimit”, thuhet në ankesën e IKD-së.
IKD pretendon se nga pamjet audio-vizuale, vajza e përfshirë në aktivitet duket të jetë fëmijë dhe paraqitet si person nën moshën 15-vjeçare.
Sipas ankesës, përfshirja e saj nuk konsiston vetëm në praninë fizike në tubim, por edhe në paraqitjen në skenë me simbolin identifikues të LDK-së dhe sipas udhëzimit të drejtpërdrejtë të kryetarit të këtij subjekti politik.
IKD ka përfshirë në ankesë edhe një deklarim që, sipas IKD-së, Abdixhiku e ka bërë gjatë mirëpritjes së vajzës në skenë.
“Ne fëmijët nuk i shtimë me recitu poezi që ofendojnë të tjerët, ne fëmijët i kemi krenari…”, citohet të ketë thënë Abdixhiku në ankesën e IKD-së.
Sipas IKD-së, kjo deklaratë dëshmon se përfshirja e fëmijës në skenë ka qenë e njohur dhe e pranuar nga drejtuesi i subjektit politik gjatë zhvillimit të aktivitetit zgjedhor.
Në ankesë po ashtu thuhet se fotografitë ku shihet vajza e mitur në skenë me flamurin e LDK-së janë përfshirë edhe në një postim të publikuar nga Abdixhiku lidhur me tubimin në Viti.
“Përfshirja e fëmijës nuk ka mbetur vetëm brenda aktivitetit fizik të tubimit, por është përdorur edhe në komunikimin publik dhe promovues të lidhur me fushatën e subjektit politik”, thuhet në ankesë.
IKD konsideron se LDK ka shkelur nenin 5, paragrafin 3 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin e fushatës së zgjedhjeve dhe deklarimin financiar.
Në ankesë theksohet se sipas këtij neni, “asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç në fushatë zgjedhore. Pjesëmarrja e fëmijëve në fushatën zgjedhore, nuk mund të bëhet pa prezencën apo pëlqimin e prindërve”.
IKD vlerëson se në rastin konkret, Abdixhiku ka përfshirë aktivisht një fëmijë në një tubim politik gjatë fushatës, duke i mundësuar paraqitjen në skenën qendrore të tubimit, mbajtjen e flamurit të LDK-së dhe ekspozimin e tij para pjesëmarrësve.
Sipas IKD-së, mbajtja e simbolit identifikues të një subjekti politik në skenën e një tubimi zgjedhor, sipas udhëzimit të drejtpërdrejtë të drejtuesit të atij subjekti, përbën përfshirje aktive të fëmijës në paraqitjen dhe promovimin publik të subjektit politik.
“Rasti konkret nuk mund të trajtohet si paraqitje e rastësishme apo spontane e një fëmije në afërsi të një aktiviteti politik. Përfshirja e saj është mundësuar, udhëzuar dhe më pas publikuar nga përfaqësuesi më i lartë i subjektit politik, në kuadër të një aktiviteti të fushatës zgjedhore”, thuhet në ankesën e IKD-së.
Në fund, IKD ka kërkuar nga PZAP që ankesën ta pranojë si të bazuar, të konstatojë se LDK ka shkelur nenin 5, paragrafin 3 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 dhe ndaj këtij subjekti politik të shqiptojë gjobë adekuate dhe proporcionale.
Sipas IKD-së, gjatë vendimmarrjes duhet të merret parasysh natyra e shkeljes, përfshirja e drejtpërdrejtë e fëmijës në promovimin vizual të subjektit politik dhe nevoja për parandalimin e praktikave të tilla gjatë fushatave zgjedhore.
Ndryshe, një ditë më parë, PZAP aprovoi si të bazuar ankesën e IKD-së dhe LDK-së ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke gjobitur këtë të fundit me 5 mijë e 100 euro për përdorim të fëmijës në tubim zgjedhor.