Pas Shkupit e Tiranës, protestë edhe në Prishtinë në mbrojtje të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut

Pas Shkupit dhe Tiranës, edhe Prishtina do t’i bashkohet protestave në mbrojtje të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Parlamenti Studentor i Kosovës ka njoftuar organizimin e një proteste paqësore të premten, duke shprehur solidaritet me studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe kundërshtimin ndaj kufizimit të përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore. Reagimi…

Lajme

03/06/2026 12:21

Pas Shkupit dhe Tiranës, edhe Prishtina do t’i bashkohet protestave në mbrojtje të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Parlamenti Studentor i Kosovës ka njoftuar organizimin e një proteste paqësore të premten, duke shprehur solidaritet me studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe kundërshtimin ndaj kufizimit të përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore.

Reagimi vjen pas kundërshtimeve të studentëve shqiptarë në Shkup lidhur me refuzimin e autoriteteve që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Sipas njoftimit, protesta do të mbahet të premten nga ora 14:00 dhe do të nisë para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.

“Ne, studentët e Kosovës, ju ftojmë t’i bashkoheni protestës paqësore për të ngritur zërin kundër cenimit të së drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në të gjitha provimet e tjera shtetërore në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në thirrjen e organizatorëve.

Parlamenti Studentor thekson se gjuha shqipe nuk është privilegj, por një e drejtë themelore e qindra mijëra shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, arsimi, profesioni dhe e ardhmja e të rinjve nuk duhet të kushtëzohen nga barriera gjuhësore apo vendime që cenojnë të drejtat e garantuara.

Përmes kësaj proteste, studentët u kanë bërë thirrje organizatave studentore, shoqërisë civile dhe qytetarëve që të bashkohen në mbështetje të kërkesës për respektimin e plotë të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet dhe proceset shtetërore të Maqedonisë së Veriut. /Lajmi.net/