Arrestohen dy kosovarë, dyshohet se nga Maqedonia e Veriut futën ilegalisht tre indianë në Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për kontrabandim me migrantë në afërsi të pikës kufitare Hani i Elezit. Operacioni u zhvillua më 2 qershor rreth orës 21:30, në kuadër të planit operativ “Migrimi Ilegal”, raporton lajmi.net Sipas njoftimit të Policisë, njësitet patrulluese kanë vëzhguar një person të dyshuar duke shoqëruar tre migrantë…

Lajme

03/06/2026 10:52

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për kontrabandim me migrantë në afërsi të pikës kufitare Hani i Elezit.

Operacioni u zhvillua më 2 qershor rreth orës 21:30, në kuadër të planit operativ “Migrimi Ilegal”, raporton lajmi.net

Sipas njoftimit të Policisë, njësitet patrulluese kanë vëzhguar një person të dyshuar duke shoqëruar tre migrantë nga fshati Bllacë në drejtim të territorit të Kosovës. Pas kalimit ilegal të vijës kufitare, migrantët u morën nga një automjet që dyshohej se i priste.

Automjeti u ndalua në flagrancë dhe u arrestuan dy shtetas të Kosovës, ndërsa tre migrantët, shtetas të Indisë, u dërguan në Qendrën e Pritjes për Migrantë për trajtim dhe procedura të mëtejshme. Njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa tjetri u lirua pas intervistimit.

Me urdhër të prokurorit, janë konfiskuar automjeti i dyshuar dhe një telefon mobil si prova materiale.

Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në parandalimin e krimeve ndërkufitare, ruajtjen e sigurisë së qytetarëve dhe garantimin e kontrollit të kufirit shtetëror./Lajmi.net/