Rubio: Hapja e Ngushticës së Hormuzit është kushti i parë për marrëveshjen me Iranin
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë bisedime me Iranin dhe se ekziston mundësia që një marrëveshje për programin bërthamor iranian të arrihet në një të ardhme të afërt. Duke folur para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan, Rubio tha se Teherani po tregon gatishmëri për të…
Bota
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë bisedime me Iranin dhe se ekziston mundësia që një marrëveshje për programin bërthamor iranian të arrihet në një të ardhme të afërt.
Duke folur para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan, Rubio tha se Teherani po tregon gatishmëri për të negociuar disa aspekte të programit të tij bërthamor, ndryshe nga një vit më parë kur refuzonte çdo diskutim.
“Ekziston mundësia që Irani të ketë pranuar të negociojë për disa pjesë të programit të tij bërthamor. Një vit më parë, regjimi iranian nuk ishte i gatshëm ta bënte këtë”, u shpreh ai.
Sipas Rubios, një marrëveshje mund të arrihet “sot, nesër ose javën e ardhshme”, megjithëse ai theksoi se nuk mund të garantojë se rezultati përfundimtar do të pranohet nga Senati apo opinioni publik amerikan.
Hormuzi, kushti kryesor i Uashingtonit
Kryediplomati amerikan nënvizoi se hapja e Ngushticës së Hormuzit është kushti i parë dhe më i rëndësishëm për përparimin e negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Ai sqaroi se Irani duhet të garantojë se nuk do të sulmojë më anijet që kalojnë në këtë rrugë strategjike detare, nuk do të vendosë tarifa kalimi dhe do të ndihmojë në pastrimin e minave detare.
Rubio theksoi se heqja e sanksioneve nuk do të vijë automatikisht vetëm për shkak të rihapjes së Ngushticës së Hormuzit.
“Irani nuk do të përfitojë heqjen e sanksioneve vetëm sepse hap Ngushticën e Hormuzit”, deklaroi ai.
Kusht edhe për uraniumin e pasuruar
Rubio shtoi se Teherani duhet të angazhohet në negociata konkrete edhe për menaxhimin dhe fatin e rezervave të uraniumit të pasuruar që zotëron aktualisht.
Ai theksoi se çdo lehtësim i sanksioneve do të varet nga respektimi i kushteve dhe angazhimeve të marra nga pala iraniane.
Në të njëjtën kohë, Rubio mbrojti vendimin e presidentit Donald Trump për të goditur kapacitetet ushtarake të Iranit, duke argumentuar se ishte e nevojshme të kufizohej aftësia e vendit për prodhimin e raketave dhe armëve të tjera konvencionale.
Sipas tij, kapacitetet ushtarake konvencionale të Iranit janë dëmtuar ndjeshëm, megjithëse vendi vazhdon të disponojë një numër të madh dronësh, për shkak të kostos së ulët dhe lehtësisë së prodhimit të tyre.