Shërbimi Korrektues i Kosovës shkëlqen në EuroPris, projekti i Qendrës së Lipjanit ndër më të mirët në Evropë

Shërbimi Korrektues i Kosovës është renditur në mesin e pesë iniciativave më të mira evropiane në kuadër të çmimit EuroPris Prison Award, falë projektit “Art from Prison: Transforming Incarceration into Opportunity”. Vlerësimi u bë gjatë Mbledhjes së 15-të të Përgjithshme Vjetore të EuroPris në Maltë, ku Kosova u radhit përkrah Francës, Spanjës, Portugalisë dhe Greqisë,…

Lajme

02/06/2026 19:18

Shërbimi Korrektues i Kosovës është renditur në mesin e pesë iniciativave më të mira evropiane në kuadër të çmimit EuroPris Prison Award, falë projektit “Art from Prison: Transforming Incarceration into Opportunity”.

Vlerësimi u bë gjatë Mbledhjes së 15-të të Përgjithshme Vjetore të EuroPris në Maltë, ku Kosova u radhit përkrah Francës, Spanjës, Portugalisë dhe Greqisë, transmeton lajmi.net.

Projekti, i realizuar nga Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan në bashkëpunim me OJQ MONUMENTA, u vlerësua për qasjen inovative në rehabilitimin dhe fuqizimin e grave të dënuara përmes artit dhe zhvillimit të aftësive kreative.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, e cilësoi këtë sukses si rezultat të punës së përbashkët të stafit korrektues dhe partnerëve, duke theksuar se ky vlerësim ndërkombëtar dëshmon avancimin e programeve rehabilituese dhe risocializuese në Kosovë.

Komunikata e plotë:

Kosova në mesin e më të mirave të Evropës – EuroPris vlerëson Shërbimin Korrektues të Kosovës

Prishtinë, 02 qershor 2026 – Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar, duke u renditur në mesin e pesë iniciativave më të mira në EuroPris Prison Award me projektin “Art from Prison: Transforming Incarceration into Opportunity”.

Në ceremoninë e mbajtur në Maltë, në kuadër të Mbledhjes së 15-të të Përgjithshme Vjetore të EuroPris, projekti nga Kosova u përzgjodh ndër pesë finalistet më të mira. Në mesin e pesë vendeve të vlerësuara si më të mirat u renditën Franca, Spanja, Portugalia, Kosova dhe Greqia, duke e vendosur Kosovën përkrah sistemeve korrektuese më të avancuara evropiane dhe duke e promovuar atë si shembull të praktikave moderne në rehabilitim dhe risocializim.

Projekti “Art from Prison: Transforming Incarceration into Opportunity”, i realizuar nga Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan në bashkëpunim me OJQ MONUMENTA, u vlerësua për qasjen e tij inovative në fuqizimin e grave të dënuara përmes artit, zhvillimit të aftësive kreative dhe krijimit të mundësive të reja për integrim në shoqëri.

Sipas vlerësimit të panelit të EuroPris, iniciativa është veçuar për cilësinë, ndikimin dhe qasjen bashkëkohore në punën rehabilituese. Kontribut të rëndësishëm në realizim ka dhënë OJQ MONUMENTA përmes mbështetjes së aktiviteteve artistike dhe angazhimit profesional në projekt.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka falënderuar stafin korrektues, menaxhmentin e Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan dhe partnerët nga OJQ MONUMENTA për përkushtimin dhe punën e tyre.

Kjo arritje përfaqëson rezultat të punës së përbashkët dhe dëshmi të avancimit të programeve rehabilituese dhe risocializuese në sistemin korrektues të Kosovës.

Dibrani falënderoi gjithashtu EuroPris për vlerësimin dhe theksoi se pjesëmarrja dhe renditja në mesin e pesë më të mirave përbën një motiv shtesë për forcimin e mëtejmë të programeve dhe ngritjen e standardeve profesionale.

Ky vlerësim ndërkombëtar konfirmon edhe një herë se Shërbimi Korrektues i Kosovës po vazhdon të shënojë suksese të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, duke promovuar praktika moderne dhe qasje efektive në rehabilitim dhe risocializim./lajmi.net/