AGK i kërkon Antonio Costës të ngrejë çështjen e lirisë së medias në takimin me Kurtin
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i është drejtuar publikisht Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke i kërkuar që gjatë vizitës së tij në Kosovë të diskutojë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, nevojën për respektimin e lirisë së medias dhe të shprehjes. Në reagimin e saj, AGK thekson se Kosova ka shënuar “një…
Lajme
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i është drejtuar publikisht Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke i kërkuar që gjatë vizitës së tij në Kosovë të diskutojë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, nevojën për respektimin e lirisë së medias dhe të shprehjes.
Në reagimin e saj, AGK thekson se Kosova ka shënuar “një rënie dramatike të lirisë së medias në vitet e fundit”, duke iu referuar raporteve ndërkombëtare dhe gjetjeve të Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës. Sipas AGK-së, Qeveria e Kurtit dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë zhvilluar “fushata të vazhdueshme denigrimi kundër gazetarëve dhe punonjësve të mediave”, duke krijuar një klimë të vështirë për ushtrimin e gazetarisë, transmeton lajmi.net.
AGK ka shprehur shqetësim edhe për ndikimin politik në institucione të pavarura si Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Radio Televizioni i Kosovës, duke kërkuar nga Costa që t’ia rikujtojë Kurtit se respektimi i lirisë së medias është një nga kushtet kyçe në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Njoftimi i plotë:
🇪🇺 Kërkesë publike për Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që përfaqëson mbi 700 gazetarë në Kosovë, i drejtohet publikisht me këtë kërkesë Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, me rastin e vizitës së tij në Kosovë.
AGK-ja kërkon nga zoti Costa që, në takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të diskutojë nevojën për respektimin e lirisë së medias dhe të shprehjes nga ana e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës.
Kosova ka shënuar një rënie dramatike të lirisë së medias në vitet e fundit, e dokumentuar nga raporte ndërkombëtare, duke përfshirë edhe vizitën në mars të Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës.
Qeveria e zotit Kurti dhe partia e tij politike, Vetëvendosje, janë angazhuar në fushata të vazhdueshme denigrimi kundër gazetarëve dhe punonjësve të mediave për shkak të punës së tyre. Kjo e ka bërë klimën e të bërit gazetari në Kosovë më të rëndën në vitet e fundit.
Institucione që do të duhej të ishin të pavarura, si Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Radio Televizioni i Kosovës, janë vënë nën ndikim të drejtpërdrejtë politik nga Qeveria, nëpërmjet emërimit të bordeve në procese të komprometuara.
AGK-ja shpreson që zoti Costa do t’ia rikujtojë kryeministrit Kurti se respektimi i lirisë së medias është kyç në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilin e aspiron shumica dërrmuese e popullit të Kosovës.
Gazetarët dhe mediat në Kosovë vazhdojnë të bëjnë një punë jetike në ofrimin e informacionit në interes të publikut, duke luajtur rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e një vlere themelore të demokracisë evropiane./lajmi.net/