“Made in Kosova” fiton njohje ndërkombëtare, OEK akreditohet për lëshimin e certifikatave me vlefshmëri globale
Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar një zhvillim të rëndësishëm për sektorin ekonomik të vendit, duke bërë të ditur se Certifikata e Origjinës “Made in Kosova” tashmë gëzon njohje ndërkombëtare. Sipas njoftimit, në Paris, Oda Ekonomike e Kosovës është akredituar zyrtarisht nga Oda Ekonomike Ndërkombëtare dhe Federata Botërore e Odave Ekonomike për lëshimin e Certifikatave…
Lajme
Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar një zhvillim të rëndësishëm për sektorin ekonomik të vendit, duke bërë të ditur se Certifikata e Origjinës “Made in Kosova” tashmë gëzon njohje ndërkombëtare.
Sipas njoftimit, në Paris, Oda Ekonomike e Kosovës është akredituar zyrtarisht nga Oda Ekonomike Ndërkombëtare dhe Federata Botërore e Odave Ekonomike për lëshimin e Certifikatave të Origjinës të pranuara në nivel global, transmeton lajmi.net.
Kjo arritje konsiderohet një hap historik për ekonominë e Kosovës, pasi për herë të parë certifikatat e lëshuara nga OEK do të kenë vlefshmëri ndërkombëtare, duke lehtësuar qasjen e produkteve kosovare në tregjet e huaja dhe duke rritur besueshmërinë e tyre te partnerët ndërkombëtarë.
Nga Oda Ekonomike e Kosovës theksojnë se ky sukses është rezultat i një angazhimi të gjatë institucional dhe profesional, me synim forcimin e pozitës së Kosovës në tregtinë globale dhe promovimin e produkteve vendore në arenën ndërkombëtare.
Sipas OEK-së, akreditimi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e eksporteve, forcimin e kredibilitetit të bizneseve kosovare, modernizimin e shërbimeve tregtare përmes digjitalizimit, si dhe në mbështetjen e prodhuesve dhe eksportuesve vendorë./lajmi.net/