Analistët: Fushata po dominohet nga gjuha agresive, jo nga programet

Më 7 qershor, Kosova shkon në zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajve. Fushata është tashmë në lëvizje të plotë – me tubime, takime, fjalime – por përmbajtja e saj mbetet e kufizuar: më shumë akuza dhe kërkim përgjegjësish për atë që ka ndodhur, dhe më pak ide të reja për zgjidhje apo rrugë përpara.…

Lajme

01/06/2026 21:18

Më 7 qershor, Kosova shkon në zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajve.

Fushata është tashmë në lëvizje të plotë – me tubime, takime, fjalime – por përmbajtja e saj mbetet e kufizuar: më shumë akuza dhe kërkim përgjegjësish për atë që ka ndodhur, dhe më pak ide të reja për zgjidhje apo rrugë përpara.

Profesori Kolë Krasniqi ka vlerësuar se fushata aktuale zgjedhore po zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ku sipas tij po mungon debati programor, ndërsa hapësira publike po dominohet nga sulmet dhe retorika agresive mes subjekteve politike.

Duke folur në emisionin “Five” në Dukagjini, Krasniqi tha se partitë politike janë fokusuar më shumë në diskreditimin e kundërshtarëve sesa në prezantimin e programeve konkrete për qytetarët.

“Nuk po shihet një debat i mirëfilltë programor. Krejt fushata është e orientuar nga një retorikë tejet agresive, ku kundërshtari natyrisht po demonizohet edhe në kuptimin e trajtimit si kundërshtar i shtetit dhe po fajësohet për çdo të keqe që e ka goditur Kosovën”, deklaroi Krasniqi.

Sipas tij, kjo formë e komunikimit politik po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e ndasive shoqërore dhe po e thellon polarizimin politik në vend.

“Po ndikohet në polarizimin ekstrem të elektoratit, përkatësisht të krejt popullatës në Kosovë. Dhe kjo e dëmton mirëqenien popullore, mirëqenien e përgjithshme të popullit të Kosovës”, u shpreh ai.

Krasniqi theksoi se partitë politike nuk po i kushtojnë vëmendjen e duhur çështjeve strategjike që kanë ndikim afatgjatë në zhvillimin e shtetit, duke u fokusuar kryesisht në tema sociale me efekt afatshkurtër.

“Partitë politike nuk po orientohen kah çështjet thelbësore që ndikojnë në mirëqenien afatgjatë të qytetarit, por të gjitha partitë janë orientuar tek politika të ndryshme sociale, kryesisht afatshkurtra, sikurse pagat, subvencionet e ndryshme e të tjera. Jo tek çështjet si reformat në drejtësi, siguria juridike, integrimi në Bashkimin Evropian dhe zhvillimi industrial i vendit”, ka theksuar Krasniqi.