Ylli i ri i Bayernit, Erblin Osmani e viziton kombëtaren e Kosovës, pritet nga kreu i FFK-së dhe Franco Foda
Ylli i ri i Bayern Munichut, Erblin Osmani po i kalon pushimet e verës në Kosovë. Ai gjatë ditës së djeshme mori pjesë në një ngjarje në qytetin e Gjilanit, nga e ka prejardhjen, teksa sot ishte në vizitë te kombëtarja e Kosovës. 17-vjeçari i Bayernit e vizitoi kombëtaren dardane, e cila po zhvillonte stërvitjen…
Sport
Ylli i ri i Bayern Munichut, Erblin Osmani po i kalon pushimet e verës në Kosovë.
Ai gjatë ditës së djeshme mori pjesë në një ngjarje në qytetin e Gjilanit, nga e ka prejardhjen, teksa sot ishte në vizitë te kombëtarja e Kosovës.
17-vjeçari i Bayernit e vizitoi kombëtaren dardane, e cila po zhvillonte stërvitjen e saj në “Fadil Vokrri”.
Osmani u prit nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, si dhe nga anëtarë tjerë të stafit të kombëtares, si Muharrem Sahiti e Samir Ujkani.
Ai po ashtu ndërroi disa fjalë edhe me selektorin e kombëtares dardane, Franco Fodën.
Për vizitën e tij njoftoi vetë kryetari Ademi, me një postim në rrjetin social “Facebook”.
“Sot, në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, patëm kënaqësinë të mirëpresim futbollistin e ri dhe të talentuar kosovar, Erblin Osmani, pjesë e gjigantit gjerman Bayern Munich.
Erblini, i cili ndodhet në Kosovë për pushimet e verës, vizitoi FFK-në dhe ndoqi nga afër seancën stërvitore të Kombëtares së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke u njohur me punën dhe atmosferën që karakterizon ekipin tonë kombëtar.
Vizita e tij është dëshmi e lidhjes së fortë mes talentëve kosovarë që po shkëlqejnë në futbollin evropian dhe rrënjëve të tyre në vendlindje.
Erblini është shembull i gjeneratës së re që po e çon emrin e Kosovës në nivelet më të larta të futbollit botëror.
Federata e Futbollit e Kosovës i dëshiron Erblin Osmanit suksese të vazhdueshme dhe arritje të mëdha në karrierën e tij”, shkroi Ademi në “Facebook”.
Erblin Osmani luan rregullisht te Bayerni U17, teksa nga muaji i ardhshëm do të promovohet tek ekipi U19.
Osmani megjithatë ka një paraqitje me ekipin e parë të Bayernit, kur debutoi në Bundesliga, në ndeshjen ndaj Union Berlinit, më 21 mars, për tre minuta.
Në nivelin e kombëtareve, Osmani e përfaqëson Gjermaninë U17, me të cilën ka dy paraqitje.