Haxhiu: Të drejtat e fëmijëve maten me veprime, jo me dokumente
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në Konferencën e Nëntë të Shëndetit, Mirëqenies, Edukimit dhe të Drejtave të Fëmijëve, ku ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes dhe përkrahjes së fëmijëve gjatë gjithë vitit. Haxhiu tha se pavarësisht progresit të arritur, fëmijët në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida të shumta…
Lajme
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në Konferencën e Nëntë të Shëndetit, Mirëqenies, Edukimit dhe të Drejtave të Fëmijëve, ku ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes dhe përkrahjes së fëmijëve gjatë gjithë vitit.
Haxhiu tha se pavarësisht progresit të arritur, fëmijët në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida të shumta dhe se të drejtat e tyre duhet të zbatohen në praktikë, e jo vetëm të mbeten të garantuara në dokumente.
Ajo theksoi se fëmijët kanë nevojë për siguri, mirëkuptim dhe qasje në shërbime profesionale kur përballen me vështirësi emocionale, sociale apo shëndetësore. Sipas saj, shoqëria nuk duhet të presë që fëmijët t’i tejkalojnë vetë problemet me të cilat edhe të rriturit do ta kishin të vështirë të përballeshin.
Haxhiu vlerësoi se Kosova ka krijuar bazë të rëndësishme ligjore për mbrojtjen e fëmijëve, por shtoi se suksesi i sistemit matet me qasjen reale në shërbime, mbështetjen për familjet dhe reagimin e institucioneve kur një fëmijë ka nevojë për ndihmë.
Ajo garantoi se institucionet do të vazhdojnë të punojnë me përgjegjësi për krijimin e një mjedisi ku çdo fëmijë ndihet i dëgjuar, i mbrojtur dhe i trajtuar me dinjitet.