Columbus: Pacientët me kancer mbeten pa mbështetje financiare pas 20 ditësh pushim

Instituti Columbus ka publikuar raportin “Politikat e pushimit me pagesë dhe lehtësirave në punë për punonjësit e diagnostikuar me kancer në Kosovë dhe krahasimi me Evropën”, i cili evidenton mangësi serioze në mbrojtjen sociale dhe të drejtat në punë të pacientëve me kancer në Kosovë. Gjatë prezantimit të gjetjeve në një konferencë për media, ekspertja…

Lajme

01/06/2026 12:24

Instituti Columbus ka publikuar raportin “Politikat e pushimit me pagesë dhe lehtësirave në punë për punonjësit e diagnostikuar me kancer në Kosovë dhe krahasimi me Evropën”, i cili evidenton mangësi serioze në mbrojtjen sociale dhe të drejtat në punë të pacientëve me kancer në Kosovë.

Gjatë prezantimit të gjetjeve në një konferencë për media, ekspertja e politikave shëndetësore dhe sociale e cila eshte autore e raportit, Saranda Ramaj, tha se trajtimi i kancerit është një proces afatgjatë që shpesh zgjat me muaj apo vite, ndërsa mbrojtja që ofron aktualisht sistemi në Kosovë mbetet e pamjaftueshme për t’iu përgjigjur nevojave reale të pacientëve.

“Një pacient me kancer nuk mund të trajtohet njësoj si një person që mungon disa ditë në punë për shkak të një sëmundjeje të zakonshme. Trajtimi onkologjik shpesh përfshin operacione, kimioterapi, radioterapi dhe periudha të gjata rikuperimi. Megjithatë, pas vetëm 20 ditësh pushim mjekësor të kompensuar, pacientët në Kosovë mbeten pa një mekanizëm të qartë që garanton vazhdimin e mbështetjes financiare gjatë trajtimit”, deklaroi Ramaj.

Raporti tregon se Kosova mbetet dukshëm prapa standardeve evropiane në mbështetjen e pacientëve me sëmundje të rënda. Pas përfundimit të periudhës së kompensuar prej 20 ditësh pune, nuk ekziston një skemë funksionale e sigurimit të sëmundjes që garanton vazhdimin e mbështetjes financiare për punonjësit që mbeten të paaftë për punë për periudha më të gjata.Në kuadër të hulumtimit janë anketuar 132 pacientë onkologjikë dhe familjarë të tyre, të cilët kanë identifikuar qartë boshllëqet ekzistuese në sistem.

Rezultatet tregojnë se 73.3% e respondentëve kërkojnë pushim mjekësor më të gjatë, ndërsa 72.5% kërkojnë mbështetje më të madhe financiare gjatë trajtimit. Po ashtu, 42% kanë theksuar nevojën për fleksibilitet në vendin e punës, 41.2% për rikthim gradual në punë pas trajtimit, 36.6% për mbrojtje nga largimi prej punës dhe 29.8% për mbështetje psikologjike.Sipas raportit, këto gjetje dëshmojnë se pacientët me kancer kanë nevojë jo vetëm për trajtim shëndetësor, por edhe për siguri ekonomike, mbrojtje të vendit të punës dhe mekanizma që u mundësojnë rikuperimin pa frikën e humbjes së të ardhurave.Raporti rekomandon reforma ligjore dhe institucionale që do të zgjasnin periudhën e mbështetjes për pacientët me sëmundje të rënda, krijimin e një skeme funksionale të sigurimeve shoqërore për zëvendësimin e pagës gjatë sëmundjes afatgjatë, si dhe vendosjen e mekanizmave për fleksibilitet dhe rikthim gradual në punë.Instituti Columbus u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar që pacientët me kancer të mos përballen me pasiguri financiare dhe profesionale në periudhën kur kanë më së shumti nevojë për mbështetje.