Hoti për Kurtin: Përveç dëmtimit të marrëdhënieve me SHBA, e braktisi integrimin kombëtar

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka akuzuar Qeverinë e Kosovës që ka braktisur integrimin kombëtar me Shqipërinë. Hoti i cili është kandidat i LDK-së për deputet në zgjedhjet e 7 Qershorit, tha se prej tre vitesh nuk është mbajtur asnjë mbledhje e përbashkët mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, duke vlerësuar se kjo ka ndikuar…

Lajme

01/06/2026 10:20

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka akuzuar Qeverinë e Kosovës që ka braktisur integrimin kombëtar me Shqipërinë.

Hoti i cili është kandidat i LDK-së për deputet në zgjedhjet e 7 Qershorit, tha se prej tre vitesh nuk është mbajtur asnjë mbledhje e përbashkët mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, duke vlerësuar se kjo ka ndikuar negativisht në avancimin e bashkëpunimit ekonomik, arsimor, kulturor dhe shëndetësor ndërmjet dy vendeve.

Sipas tij, potenciali për integrim më të madh mes Kosovës dhe Shqipërisë ka mbetur i pashfrytëzuar për shkak të mungesës së vullnetit politik.

Hoti tha se ka ngecur edhe projekti i përbashkët hidroenergjetik mes dy vendeve, ndërsa kritikoi mungesën e hapave konkretë për krijimin e një tregu të përbashkët në bujqësi dhe për zhvillimin e strategjive të përbashkëta në turizëm, arsim dhe kulturë.

Ai veçoi si dështim mungesën e progresit në projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës, të cilin e cilësoi si një nga projektet më të rëndësishme strategjike për lidhjen e Kosovës me Shqipërinë.

“Pas pesë vitesh qeverisje, nuk ka asgjë konkrete. Nuk është vendosur asnjë metër binar. Projekti vazhdon të mbetet vetëm në deklarata dhe prezantime”, ka shkruar Hoti.