10 euro për të hyrë në Prishtinë? Propozimi i Komunës përballet me kritika

Taksa e propozuar prej 10 eurosh, për veturat që hyjnë në kryeqytet, është një nismë e Komunës së Prishtinës që synon të reduktojë trafikun dhe ndotjen nga makinat që vijnë nga qytetet e tjera. Madje kësaj i është shtuar edhe propozimi për 1 euro për çdo natë që qytetarët akomodohen në Prishtinë. Kjo nismë e…

Lajme

31/05/2026 20:16

Taksa e propozuar prej 10 eurosh, për veturat që hyjnë në kryeqytet, është një nismë e Komunës së Prishtinës që synon të reduktojë trafikun dhe ndotjen nga makinat që vijnë nga qytetet e tjera. Madje kësaj i është shtuar edhe propozimi për 1 euro për çdo natë që qytetarët akomodohen në Prishtinë.

Kjo nismë e kryetarit të Prishtinës ka ngritur shqetësime se kjo masë nuk ka bazë ligjore dhe mund të shkaktojë “luftë tarifash” me komunat fqinje, ndërkohë që nxjerr në pah edhe nevojën urgjente për rregullimin e çështjes së parkingjeve dhe përmirësimin e transportit publik brenda kryeqytetit. E qytetarët këtë propozim e shohin si barrë të rëndë në kurriz të tyre.

Komuna e Prishtinës ka nisur procedurat përfundimtare për realizimin e një nisme të re, e cila parasheh vendosjen e një takse prej 10 eurosh për çdo qytetar jorezident që hyn me automjet në qendër të kryeqytetit.

Përveç kësaj mase, është paraparë edhe një tarifë shtesë për ata që nuk përdorin automjet, por që qëndrojnë dhe kalojnë natën në Prishtinë, ku çdo vizitor do të paguajë 1 euro për natë akomodimi.

Megjithatë, kjo nismë po shihet si e padrejtë nga një pjesë e madhe e qytetarëve, veçanërisht nga ata që udhëtojnë çdo ditë në Prishtinë për nevoja të domosdoshme, duke konsiderojnë këtë masë si një barrë shtesë për ta.

“Mezi s’kemi prit këta qytetarë me qenë të lirë. Me shku këtu e në Fushë Kosovë e ata me ardh këtu, e Obiliqi këtu, e me u përzi, këto janë norma të cilat nuk besoj që mund të realizohen edhe në qoftë se i futi në ligj, Gjykata ka me ua kontestu prapë”, tha një qytetar.

“Nuk është e duhur ajo, 10 euro, se edhe ashtu jemi të ngarkuar, mbingarkuar me gjithçka. Rrogat janë shumë të vogla. E tash, sa veturat hyn në Prishtinë, vjen, a thuaj, prej vendeve të tjera me dhënë nja 10 euro, është ngarkesë për popullatën tone”, thotë tjetri qytetar.

“Të ardhurat janë në Kosovë, nuk janë shumë të mira. Për shumë, për nja 40-50% e më shumë ndoshta”, theksoi një qytetare.

Pagesa e taksës parashihet të realizohet përmes pikave të autorizuara hyrës, përmes sistemit elektronik të pagesës ose përmes platformave të tjera të miratuara nga kryeqyteti.