Gjykata Supreme refuzon ankesën e LVV-së për tubimin në sheshin ‘Skënderbeu’

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizja Vetëvendosje lidhur me refuzimin e kërkesës për mbajtjen e një tubimi politik në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, gjatë fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Sipas njoftimit, Kolegji i Gjykatës Supreme la në fuqi vendimin e PZAP-it, i cili kishte konstatuar se kërkesa…

Lajme

29/05/2026 15:52

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizja Vetëvendosje lidhur me refuzimin e kërkesës për mbajtjen e një tubimi politik në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, gjatë fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit 2026.

Sipas njoftimit, Kolegji i Gjykatës Supreme la në fuqi vendimin e PZAP-it, i cili kishte konstatuar se kërkesa e LVV-së ishte paraqitur pas rezervimit paraprak të hapësirës nga Partia Demokratike e Kosovës.

LVV-ja kishte pretenduar se PZAP-i kishte zbatuar gabimisht Rregulloren Zgjedhore Nr. 07/2024 dhe se kërkesa e PDK-së nuk mund të krijonte përparësi procedurale, pasi në kohën e dorëzimit të saj Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Prishtinë ende nuk ishte funksionalizuar.

Megjithatë, Gjykata Supreme vlerësoi se KKZ-ja në Prishtinë kishte vepruar në përputhje me nenin 4 të Rregullores Nr. 07/2024, i cili parasheh mundësinë e refuzimit të një kërkese nëse hapësira është rezervuar më herët nga një subjekt tjetër politik.

Sipas dosjes së lëndës, PDK kishte dorëzuar kërkesën për organizimin e tubimit në sheshin “Skënderbeu” më 30 prill 2026, ndërsa LVV-ja kërkesën e kishte paraqitur më 8 maj 2026, për të njëjtën datë dhe lokacion.

Gjykata konstatoi se rregullorja zgjedhore përcakton vetëm afatin përfundimtar për paraqitjen e kërkesave për tubime politike dhe nuk ndalon dorëzimin e tyre para funksionalizimit të KKZ-së.

Po ashtu, Gjykata Supreme hodhi poshtë edhe pretendimet e LVV-së për mungesë arsyetimi në vendimin e PZAP-it, duke vlerësuar se institucioni kishte ofruar sqarime të mjaftueshme juridike dhe kishte trajtuar në mënyrë të plotë çështjen e ngritur në ankesë.

Si rezultat, ankesa e LVV-së u refuzua, ndërsa vendimi i PZAP-it mbeti në fuqi.