Kuvendi i KMShK-së mori vendim për 11 ankesa

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 11 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen katër nga to, një të miratohet pjesërisht, tri ankesa të shpallen të patrajtueshme dhe tri të tjera të paafatshme. Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e…

Lajme

29/05/2026 09:32

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 11 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen katër nga to, një të miratohet pjesërisht, tri ankesa të shpallen të patrajtueshme dhe tri të tjera të paafatshme.

Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht Kapitullit II – Raportimi i së vërtetës, Kapitullit IV – E drejta për t’u përgjigjur, Kapitullit Kapitullit VI – Trajtimi i tragjedive personale, mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve, Kapitullit VII – Privatësia dhe mbrojtja e burimeve dhe Kapitullit X – Konflikti i interesit.

KMShK ka miratuar ankesën e Nasuf Hasanit kundër Sinjali.com për shkrimin me titull “I merret licenca avokatit Nasuf Hasani – publikohen audio ku dëgjohet duke share rëndë stafin e Odës”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II, IV dhe X të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, përkatësisht konfliktin e interesit.

KMShK ka miratuar ankesën e Nasuf Hasanit kundër Indeksonline.net për shkrimin me titull “I merret licenca avokatit Nasuf Hasani – publikohen audio ku dëgjohet duke share rëndë stafin e Odës”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.

KMShK ka miratuar ankesën e Fjona Gashit kundër Sinjali.com për shkrimin me titull “Ekskluzive: U filmua duke gjuajtur me armë në aheng – 30-vjeçari paraqitet vetë në Polici në Prizren”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli VII i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me privatësinë.

KMShK ka miratuar ankesën e Granit Çakës kundër Sinjali.com për shkrimin me titull “Ekskluzive: Sherri familjar në Kaçanik del jashtë kontrollit – mesazhe kërcënuese dhe drogë në shtëpi, arrestohet i dyshuari, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli VII i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me privatësinë.

KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Kabinetit të U.D. së Presidentes së Republikës së Kosovës kundër Klankosova.tv për shkrimet me tituj “Haxhiu e largon flamurin dardan nga
Zyra e Presidencës (Video)?” dhe “’Pas flamurit dardan, Albulena Haxhiu e ‘zhduk’ nga postimet edhe statujën e Ibrahim Rugovës? (Foto)’”, duke konstatuar se janë shkelur pjesërisht kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.

KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Kaltrina Gashit kundër Klankosova,tv, Paparaci.com dhe Rrafshi i Dukagjinit në Fokus, duke konstatuar se nuk janë gjetur përmbajtjet mediale për të cilat është paraqitur ankesa, andaj edhe nuk ka pasur mundësi të trajtohet.

KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Ardenisa Gashit kundër Klankosova,tv, Paparaci.com dhe Rrafshi i Dukagjinit në Fokus, duke konstatuar se nuk janë gjetur përmbajtjet mediale për të cilat është paraqitur ankesa, andaj edhe nuk ka pasur mundësi të trajtohet.

KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Arbër Eminit kundër Plus Televizion, pasi që nuk ka kompetencë të trajtojë përmbajtjet e transmetuara në televizion. Pala ankuese mund t’i drejtohet Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).