Vrasja e “Radullës” në Prishtinë, Prokuroria: Janë siguruar video-incizimet që do shërbejnë për zbardhjen e rastit
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, është deklaruar rreth vrasjes që ndodhi mbrëmë rreth orës 08:30, në lagjen “Bregu i Diellit”, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën personi me inicialet A.H. Nga Prokuroria u tha se “menjëherë pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës, në…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, është deklaruar rreth vrasjes që ndodhi mbrëmë rreth orës 08:30, në lagjen “Bregu i Diellit”, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën personi me inicialet A.H.
Nga Prokuroria u tha se “menjëherë pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës, në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Prokurori Kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, si dhe njësitet e tjera relevante, të cilët kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”.
Në kuadër të këtyre veprimeve është mundësuar edhe sigurimi dhe analizimi i video-incizimeve nga kamerat e sigurisë, të cilët do të shërbejnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Po ashtu, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia K9, me qëllim të gjurmimit të lëvizjeve të personit të dyshuar dhe viktimës.
“Ndërkaq, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë për obduksion.”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve intensive hetimore dhe operative me qëllim të arrestimit të personit te dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale./Lajmi.net/