Natë tragjike në Kosovë, dy persona vriten brenda 24 orëve
Një natë tragjike ka qenë e mërkura që kemi lënë pas për vendin tonë. Në dy raste të ndara, dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur. Në Prishtinë, saktësisht në rrugën “Sali Nivica” në lagjen Bregu i Diellit, pas të shtënave me armë zjarri një person ka mbetur i vdekur. Lajmin…
Lajme
Një natë tragjike ka qenë e mërkura që kemi lënë pas për vendin tonë.
Në dy raste të ndara, dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur.
Në Prishtinë, saktësisht në rrugën “Sali Nivica” në lagjen Bregu i Diellit, pas të shtënave me armë zjarri një person ka mbetur i vdekur.
Lajmin për lajmi.net për këtë rast e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prishtinë, Enis Pllana.
“Rreth orës 20:30 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Sali Nivica” në Prishtinë. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi (mashkull). Policia në koordinim me prokurorinë ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Pllana.
Detaje të reja për rastin ka dhënë Policia edhe në raportin 24 orësh.
“Prishtinë 27.05.2026 – 20:30. Është raportuar për të shtëna me armë zjarri ku si pasojë viktima mashkull kosovar është qëlluar nga i dyshuari mashkull kosovar i cili është larguar në drejtim të panjohur dhe ndodhet në kërkim policor. Të gjitha njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjeku kujdestar i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion”, thuhet në raport.
Në media është raportuar se viktima e këtij rasti është Agron Hajdari rreth 40 vjeçar.
Një vrasje tjetër e rëndë që ka ardhur nga therrja me thikë ka ndodhur mbrëmë në Mitrovicë.
Një person 37-vjeçar, Erduan Ibrahimi ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve nga një mjet i mprehtë. Viktima është dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen.
Në të njëjtin rast është lënduar edhe një person tjetër, Shaban Ibrahimi i cili është vëllai i viktimës i cili pas trajtimit në emergjencën e spitalit është dërguar për tretman të mëtejshëm në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën, transmeton lajmi.net.
Policia ka arrestuar një person 31-vjeçar, i dyshuar për kryerjen e vrasjes, dhe është sekuestruar mjeti i mprehtë me të cilin dyshohet se është kryer vepra penale. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policore prej 48 orësh, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit vazhdojnë.
Rastin e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë, të cilët kanë thënë se rasti ka ndodhur në lagjen e Romëve në Mitrovicë.
Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili, me vendim të prokurorit kujdestar për Krime të Rënda, është dërguar në mbajtje, transmeton lajmi.net.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. /Lajmi.net/