​Tërnava uron qytetarët për festën e Kurban Bajramit, bën thirrje për unitet: Fushata me akuza e urrejtje nuk i shërben të ardhmes

Thirrjet për unitet, dashuri e solidaritet ishin në qendër të mesazhit të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava në ligjëratën e mbajtur të mërkurën, gjatë manifestimit qendror të Kurban Bajramit, në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Në ligjëratën para besimtarëve, ku uroi qytetarët për festën e Kurban Bajramit, Tërnava theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet…

Lajme

27/05/2026 07:59

Thirrjet për unitet, dashuri e solidaritet ishin në qendër të mesazhit të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava në ligjëratën e mbajtur të mërkurën, gjatë manifestimit qendror të Kurban Bajramit, në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Në ligjëratën para besimtarëve, ku uroi qytetarët për festën e Kurban Bajramit, Tërnava theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet ekonomik e politik, institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore, derisa kritikoi përplasjet politike dhe interesat e ngushta partiake.

Ai tha se qytetarët janë lodhur nga konfliktet e vazhdueshme politike dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme, të cilat, sipas tij, kanë krijuar pasiguri për të ardhmen.

“Vendi ka nevojë për stabilitetin ekonomik e politik dhe institucione funksionale e përgjegjësi shtetërore. Fatkeqësisht, interesat e ngushta grupore, përplasjet e pafundme të partive tona, kanë lodhur qytetarët tanë dhe kanë krijuar pasiguri për të ardhmen. Mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, mungesa e unitetit institucional, nuk i shërbejnë Kosovës, por dobësojnë besimin qytetar dhe zbehin shpresën e brezit të rii. Nuk mund të ketë interes më të madh se interesi i atdheut. Nuk mund të ketë armiqësi personale mbi fatin e Kosovës. Stabiliteti i shtetit dhe mirëqenia e qytetarit janë përgjegjësi historike që kërkojnë maturi, urtësi dhe vizion kombëtar”, tha myftiu Tërnava.