Kurti viziton AKSP-në, takon djalin e Enver Zymerit dhe Afrim Bunjakut: Ajo duhet të forcohet edhe në dimensionin akademik
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e ka vizituar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, ku ka takuar djemtë e heronjve të Kosovës, Sokol Enver Zymerin dhe Jetlum Afrim Bunjakun. “Sokoli dhe Jetlumi sot janë kadetë në këtë Akademi ndërsa pas diplomimit do të jenë zyrtarë policorë shembullor në shërbim të qytetarëve…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e ka vizituar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, ku ka takuar djemtë e heronjve të Kosovës, Sokol Enver Zymerin dhe Jetlum Afrim Bunjakun.
“Sokoli dhe Jetlumi sot janë kadetë në këtë Akademi ndërsa pas diplomimit do të jenë zyrtarë policorë shembullor në shërbim të qytetarëve tanë dhe në mbrojtje të Republikës sonë”, ka njoftuar Kurti.
Ai ka thënë se AKSP është akredituar për 5 vite në arsimin e lartë nga KSHC.
“Brenda kësaj periudhe kohore kanë diplomuar 21 zjarrfikës në trajnimin profesional, janë realizuar 24 trajnime me gjithsej 359 pjesëmarrës, ndërsa është duke u mbajtur trajnimi profesional për gjeneratën e 46-të të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës me 100 kadetë si dhe trajnimi për zyrtarë policorë për gjeneratën e 63-të me 412 kadetë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se kjo Akademi e ka marrë këtë emër nga viti 2008 ndonëse është themeluar në vitin 1999.
“Që nga themelimi, AKSP ka trajnuar mbi 150 mijë zyrtarë, ka realizuar mbi 6 mijë trajnime, ndërsa kanë diplomuar mbi 300 zyrtarë në Fakultetin e Sigurisë Publike.Akademia e Kosovës për Siguri Publike është institucioni i vetëm publik në Republikën e Kosovës i specializuar në arsimimin dhe trajnimin e personelit në fushën e sigurisë publike”, ka shtuar Kurti.
Ai ka thënë se pogramet trajnuese dhe arsimore të AKSP-së i nënshtrohen periodikisht proceseve të akreditimit dhe validimit nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, përmes Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim, si dhe sipas kritereve të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve dhe standardeve të aplikueshme nga SHBA.
“Shërbimet trajnuese dhe akademike u ofrohen institucioneve të sigurisë publike, duke mos u kufizuar në:
– Policinë e Kosovës,
– Shërbimin Korrektues të Kosovës,
– Shërbimin Sprovues të Kosovës,
– Doganën e Kosovës,
– Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, dhe
– Inspektoratin Policor të Kosovës”,ka shtuar ai.
Kurti ka thënë se akademia duhet të fuqizohet dhe të zhvillohet jo vetëm si institucion mbështetës për mekanizmat e sigurisë, por edhe në dimensionin e saj akademik dhe hulumtues, përmes analizave strategjike, studimeve profesionale dhe kontributit në hartimin e politikave të sigurisë.
“Mbështetja jonë në të gjitha këto drejtime do të vazhdojë të jetë e plotë dhe e parezervë, me synim forcimin e mëtejmë të Akademisë si institucion i rëndësisë së veçantë për sigurinë dhe zhvillimin institucional të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: