MINTI dhe KIESA lansojnë skema grantesh prej 5.8 milionë euro për bizneset në Kosovë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në bashkëpunim me Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka lansuar skema të reja grantesh në vlerë prej 5.8 milionë euro për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Kosovë. Lajmin e bëri të ditur ministrja në detyrë e MINTI-t përmes një…

Lajme

25/05/2026 22:52

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në bashkëpunim me Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka lansuar skema të reja grantesh në vlerë prej 5.8 milionë euro për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Kosovë.

Lajmin e bëri të ditur ministrja në detyrë e MINTI-t përmes një videomesazhi në rrjetin social Facebook.

Sipas saj, qëllimi i këtyre skemave është mbështetja e prodhimit vendor, avancimi i digjitalizimit dhe rritja e konkurrueshmërisë së bizneseve kosovare.

Skemat e mbështetjes përfshijnë gratë ndërmarrëse, blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, digjitalizimin e bizneseve dhe certifikimin e produkteve.

Në kuadër të skemës për gratë ndërmarrëse janë ndarë 200 mijë euro, ku ndërmarrjet mikro mund të përfitojnë deri në 10 mijë euro, ndërsa ato të vogla deri në 20 mijë euro.

Për sektorin prodhues dhe përpunues janë ndarë 5 milionë euro, prej të cilave 2 milionë për ndërmarrjet mikro, 2.5 milionë për të voglat dhe 500 mijë euro për ndërmarrjet e mesme.

Ndërkohë, për digjitalizimin e bizneseve do të mbështeten fusha si marketingu digjital, e-tregtia, automatizimi i proceseve dhe sistemet e menaxhimit të klientëve dhe burimeve njerëzore.

Për certifikimin e produkteve, bizneset mund të përfitojnë deri në 20 mijë euro, ndërsa ato në sektorin e metalit deri në 25 mijë euro, me 10 për qind pjesëmarrje nga vetë biznesi.

Kusari-Lila ka ftuar bizneset vendore që të aplikojnë për këto skema, të cilat synojnë zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese në vend.

“Aplikimi për të gjitha skemat bëhet në mënyrë elektronike përmes platformës eKosova dhe faqeve zyrtare të MINTI-t dhe KIESA-s”, theksohet në fund të njoftimit.