Ministria e Mjedisit gjobit Komunën e Prishtinës me 5 mijë euro
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Inspektorati i kësaj ministrie ka shqiptuar një gjobë prej 5 mijë euro ndaj Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në Komunën e Prishtinës. Sipas saj, masa është marrë për shkak të zhvillimit të aktiviteteve në deponinë e inerteve në Matiqan, të…
Lajme
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Inspektorati i kësaj ministrie ka shqiptuar një gjobë prej 5 mijë euro ndaj Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në Komunën e Prishtinës.
Sipas saj, masa është marrë për shkak të zhvillimit të aktiviteteve në deponinë e inerteve në Matiqan, të cilat janë vlerësuar si në kundërshtim me dispozitat ligjore për mbrojtjen e ujërave dhe mjedisit.
Inspektorati ka konstatuar se në këtë hapësirë janë zhvilluar punime dhe depozitime materialesh inerte pa përmbushur obligimet ligjore dhe pa dokumentacionin e nevojshëm për leje ujore dhe procedura të tjera përkatëse.
“Pavarësisht vendimeve dhe urdhrave të mëhershëm të inspektoratit, aktiviteti në këtë lokacion ka vazhduar”, thuhet në njoftim.
Pacolli ka theksuar se mbrojtja e mjedisit dhe e pasurive ujore është obligim ligjor për të gjitha nivelet e qeverisjes, duke shtuar se Ministria do të vazhdojë të mbështesë veprimet e inspektoratit dhe zbatimin e ligjit “pa dallim”, me qëllim të mbrojtjes së interesit publik dhe mjedisit.