Oda e Avokatëve i përgjigjet sërish Supremes: Vonesat në paraburgim ekzistojnë dhe duhen trajtuar seriozisht

Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar sërish pas sqarimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, duke theksuar se qëndron plotësisht prapa shqetësimeve të ngritura lidhur me vonesat në trajtimin e ankesave në çështjet e paraburgimit. Oda thekson se reagimi i saj nuk ka pasur për qëllim përplasje me institucionet e drejtësisë apo cenim të reputacionit…

Lajme

25/05/2026 20:25

Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar sërish pas sqarimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, duke theksuar se qëndron plotësisht prapa shqetësimeve të ngritura lidhur me vonesat në trajtimin e ankesave në çështjet e paraburgimit.

Oda thekson se reagimi i saj nuk ka pasur për qëllim përplasje me institucionet e drejtësisë apo cenim të reputacionit të tyre, por ngritjen e një shqetësimi profesional që lidhet drejtpërdrejt me lirinë personale dhe efektivitetin e mjeteve juridike.

Sipas Odës së Avokatëve të Kosovës, nuk është pretenduar se të gjitha rastet karakterizohen nga vonesa, por se ekzistojnë raste konkrete kur vendimet mbi ankesat në çështjet e paraburgimit janë dorëzuar me vonesë të konsiderueshme, përfshirë edhe situata kur masat janë vazhduar nga gjykatat e shkallës së parë.

Oda shton se praktika gjyqësore ka treguar se një numër kërkesash për mbrojtje të ligjshmërisë janë konsideruar jo-lëndore nga Gjykata Supreme, me arsyetimin se vendimet e kontestuara kishin skaduar ose ishin zëvendësuar me vendime të reja për vazhdimin e paraburgimit.

Po ashtu, Oda i referohet edhe qëndrimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke theksuar se mjetet juridike në rastet e kufizimit të lirisë duhet të jenë reale dhe efektive në praktikë, e jo vetëm formalisht të garantuara.

Sipas saj, këto nuk janë deklarime abstrakte, por shqetësime që burojnë nga praktika gjyqësore dhe që kërkojnë reflektim institucional.

Në fund, Oda e Avokatëve të Kosovës rithekson se paraburgimi nuk duhet të trajtohet si formë ndëshkimi, por si masë procedurale për sigurimin e procesit penal, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet evropiane për të drejtat e njeriut. /Lajmi.net/