Gjykata Supreme i kundërpërgjigjet Odës së Avokatëve: Pretendimet për vonesa në paraburgim nuk qëndrojnë

Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të Odës së Avokatëve të Kosovës lidhur me pretendimet për vonesa në trajtimin e rasteve të paraburgimit, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Në një “kundër-reagim dhe sqarim për opinionin publik”, Gjykata Supreme shpreh keqardhje për mënyrën e reagimit të Odës së Avokatëve të Kosovës, e…

Lajme

25/05/2026 20:22

Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të Odës së Avokatëve të Kosovës lidhur me pretendimet për vonesa në trajtimin e rasteve të paraburgimit, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

Në një “kundër-reagim dhe sqarim për opinionin publik”, Gjykata Supreme shpreh keqardhje për mënyrën e reagimit të Odës së Avokatëve të Kosovës, e cila kishte ngritur shqetësime për vonesa sistematike në shqyrtimin e rasteve të paraburgimit.

Sipas Gjykatës Supreme, pas verifikimeve të bëra, këto pretendime nuk qëndrojnë dhe nuk mbështeten në fakte.

Gjykata thekson se çështjet që lidhen me caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit trajtohen me urgjencë dhe prioritet të lartë, duke respektuar afatet ligjore dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë personale dhe procesin e rregullt ligjor.

Po ashtu, Gjykata Supreme e Kosovës nënvizon se mbetet e përkushtuar për respektimin e afateve ligjore dhe trajtimin efikas të mjeteve juridike në rastet e paraburgimit, duke theksuar ndjeshmërinë e këtyre çështjeve për të drejtat themelore të qytetarëve.

Në reagim, Gjykata fton Odën e Avokatëve të Kosovës që, nëse ka raste konkrete ku pretendohet tejkalim i afateve ligjore apo vonesa të pajustifikuara, ato t’i adresojë zyrtarisht tek kryetari i gjykatës.

Në fund, Gjykata Supreme shpreh gatishmërinë për bashkëpunim dhe komunikim profesional me të gjithë akterët e sistemit të drejtësisë, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore. /Lajmi.net/