“Hekurudha, diga, stadiume”: Pas gjysmë dekade në pushtet, Kurti kërkon votë për “transformim ekonomik”

Me afrimin gjedhjeve të parakoshme parlamentare më 7 qershor, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalosi mbrëmjen e së dielës plan-program elektoral të mbushur me shifra marramendëse dhe premtime ambicizioze me investime qindra milionëshe. Me të, Kurti kërkoi besim për transformim nga gjithçka çka u pa gjatë gjysmë dekadës së fundit, periudhë gjatë…

Lajme

25/05/2026 16:45

Me afrimin gjedhjeve të parakoshme parlamentare më 7 qershor, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalosi mbrëmjen e së dielës plan-program elektoral të mbushur me shifra marramendëse dhe premtime ambicizioze me investime qindra milionëshe.

Me të, Kurti kërkoi besim për transformim nga gjithçka çka u pa gjatë gjysmë dekadës së fundit, periudhë gjatë së cilës Kosova përjetoi rënie drastike të fuqisë blerëse dhe shënoi disa nga nivelet më të ulëta të rritjes ekonomike në dekadat e fundit.

Në planprogramin e mbushur me projekte ambicioze- por pa detaje konkrete për financimin apo zbatimin e tyre – Kurti premtoi nisjen e një “transformimi madhështor ekonomik e industrial” që do të realizohej nëpërmjet ndërtimit të katër hekurudhave të reja, pesë digave që kapin vlerën mbi 400 milionë euro dhe njëzet stadiumeve moderne me investime prej 250 milionë eurosh.

“Në mandatin e ri kërkojmë përkrahjen tuaj që të nisim transformimin më të madh ekonomik e industrial të vendit tonë. Mandat i prodhimit, mandat i zhvillimit, mandat i vetëqëndrueshmërisë.”

“Katër hekurudha të reja, pesë diga me investime mbi 400 milionë euro dhe 20 stadiume moderne me investime prej 250 milionë eurosh.”

Më tej, Kurti u zotua për fond 1 miliard eurosh për mbështetjen e prodhimit, industrisë dhe sipërmarrjeve vendore, si dhe mbi 1 miliard euro shtesë për forcimin dhe modernizimin e ushtrisë gjatë katër viteve të ardhshme, përsëri pa sqaruar se nga do të buronin këto burime financiare.

“Për ushtrinë tonë, gjatë katër viteve të ardhshme, do të ndajmë mbi 1 miliard euro, duke siguruar fuqizim, pajisje moderne dhe trajnime të avancuara për forcën tonë të armatosur.”

“Për prodhimtarinë, industrinë dhe ndërmarrësinë, ne do të veprojmë përmes bankës zhvillimore dhe programit 1 miliard euro në mbështetje të bizneseve prodhuese. Me programin 1 miliard euro për prodhim dhe industri, do të mbështesim projektet strategjike dhe prioritare të industrisë, përfshirë industrinë kreative,” u zotua Kurti.

Kurti gjithashtu garantoi pagën e 13-të dhe paralajmëroi gradualisht edhe pagën e 14-të, si për sektorin publik ashtu edhe për atë privat. “Pas dialogut me sektorin privat, synimi ynë është që në bashkëpunim me bizneset dhe punëtorët të planifikojmë gradualisht edhe pagën e 14-të,” deklaroi ai.