Tregtarët kërkojnë zgjidhje për Tregun e Gjelbër
Gjendja e Tregut të Gjelbër në Prishtinë vazhdon të mbetet shqetësim për tregtarët dhe qytetarët. Tregtarët ankohen për mungesë hapësire dhe kushte jo të mira pune. Njohës të qeverisjes lokale thonë se problemi është zvarritur prej vitesh. Nga Komuna e Prishtinës premtojnë se projekti për rregullimin e tregut do të realizohet, derisa Ministria e Kulturës…
Lajme
Gjendja e Tregut të Gjelbër në Prishtinë vazhdon të mbetet shqetësim për tregtarët dhe qytetarët. Tregtarët ankohen për mungesë hapësire dhe kushte jo të mira pune.
Njohës të qeverisjes lokale thonë se problemi është zvarritur prej vitesh. Nga Komuna e Prishtinës premtojnë se projekti për rregullimin e tregut do të realizohet, derisa Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se kërkesa për projektin është ende në shqyrtim.
Njëri nga tregtarët vlerëson se gjendja jo e mirë e Tregut të Gjelbër në kryeqytet po u shkakton vështirësi në punën dhe shitjen e produkteve të tyre.
“Ma shumë shesim na në treg, se jam prodhues i bimëve. Nuk po ka vend, as tregu nuk është kurqysh. Na kanë premtu që do të rregullohet”, tha një tregtar për RTK.
Njohës të qeverisjes lokale thonë se tregtarët meritojnë trajtim më të mirë dhe se çështja e Tregut të Gjelbër është stërzgjatur prej vitesh.
Valmir Ilazi, njohës i qeverisjes lokale, tha se cështja e Tregut të Gjelbër është një problem që është zgjatë dhe stërzgjatë prej shumë vitesh. Tregtarët vazhdojnë të punojnë në kushte jo të mira, pa infrastrukturë moderne dhe pa trajtimin që e meriton një treg i rëndësishëm.”
Në një deklaratë për RTK-në, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se janë duke punuar për jetësimin e projektit të Tregut të Gjelbër.
Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, tha se projektin e kemi, buxhetin e kemi, jemi duke punu dhe do ta bëjmë realitet.”
Nga Ministria e Kulturës, në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se sa i përket projektit të Tregut të Gjelbër, kërkesa aktualisht është në procedurë shqyrtimi nga institucionet kompetente të trashëgimisë kulturore.