LDK kujton zgjedhjet e 24 majit 1992: Fillimi i shtetësisë së Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar sot 24 Majin 1992, datën e mbajtjes së zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale në Kosovë, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë politike dhe shtetformuese të vendit. Në reagimin e saj, LDK vlerëson se zgjedhjet e 24 majit shënuan fillesën e demokracisë…
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar sot 24 Majin 1992, datën e mbajtjes së zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale në Kosovë, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë politike dhe shtetformuese të vendit.
Në reagimin e saj, LDK vlerëson se zgjedhjet e 24 majit shënuan fillesën e demokracisë në Kosovë dhe rrugëtimin drejt lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit demokratik.
“Zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale ishin pikënisje dhe zanafilla e rrugës së gjatë për liri, pavarësi e demokraci nën maksimën për Kosovën Republikë”, thuhet në mesazhin e LDK-së.
Partia kujton se në ato zgjedhje historike, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës, duke u bërë simbol i rezistencës paqësore dhe udhërrëfyes i popullit në periudhën më të rëndë politike për vendin.
Sipas LDK-së, figura e Presidentit Rugova mbetet e pazëvendësueshme në historinë e Kosovës, për shkak të rolit të tij në udhëheqjen e popullit drejt lirisë, demokracisë dhe miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Populli i Kosovës sot feston 24 majin si Ditën e Presidentit, duke nderuar veprën historike të atit themeltar të shtetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova”, thuhet më tej në reagim.
24 Maji vazhdon të konsiderohet një nga datat më domethënëse në historinë moderne të Kosovës, si simbol i vullnetit politik dhe demokratik për shtet të lirë e të pavarur.