Hapet biblioteka për fëmijë në kryeqytet, Rama tregon se ideja ishte e gruas së tij

Në Prishtinë sot u hap biblioteka për fëmijë me ndihmën e organizatës “The Library Project Kosova”, ambasadave mike dhe donatorëve të tjerë. Në hapjen e kësaj biblioteke te Pallati i Rinisë në Prishtinë ishte i pranishëm edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili tha se ideja për këtë bibliotekë ka ardhur nga bashkëshortja e…

Lajme

23/05/2026 16:02

Në Prishtinë sot u hap biblioteka për fëmijë me ndihmën e organizatës “The Library Project Kosova”, ambasadave mike dhe donatorëve të tjerë.

Në hapjen e kësaj biblioteke te Pallati i Rinisë në Prishtinë ishte i pranishëm edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili tha se ideja për këtë bibliotekë ka ardhur nga bashkëshortja e tij, Kristalja,

“Unë e mbaj mend kur e kam taku Kristalen, gjëja e parë që më ka tregu është qysh ka kaluar shumë kohë në biblioteka. Edhe ka lexuar libra edhe aty ka mësuar edhe i është hap një horizont i ri. Kjo e ka pasur, ka tregu pse faktikisht unë së pari kam ra në dashuri në shkrim të Kristales e pastaj e kam pa Kristalen. Kur më pat shkruar në vitin 2009. Jemi me fat që jemi në Prishtinë, që kemi jetua në Londër edhe kemi pas numër të madh të bibliotekave të fëmijëve ku edhe i ka çua Kristalja fëmijët tonë edhe kanë mësua, kanë lexua. E kemi mendua qysh mundemi me bë diçka të tillë në Prishtinë. Pra sot edhe nuk po e hapim vetëm një bibliotekë, po kjo është me të vërtetë një dëshmi që kur bashkëpunojmë mrekullitë ndodhin. Kristalen e falënderoj nga zemra për këtë iniciativë, po nuk kishte mund me bë vetë pa e pasur ekipin fenomenale të ‘The Library Project Kosova’. Pra, libraria tash po kthehet me fokus në fëmijët tanë, në më të mirët tanë. Sepse fëmijët tanë janë të këtij vendi, i përkasin këtij vendi, kanë rëndësinë më të madhe në komunitetin tonë edhe me fëmijët tanë së bashku po i bëjmë ëndrrat tona realitet. Kjo po ashtu është një tregim, një shenjë dashurie për gjeneratat e ardhshme. Është shenjë dinjiteti për fëmijët tanë. Është shenjë shprese për të ardhmen e qytetit tonë. Kjo bibliotekë me të vërtetë është ndërtuar nga një komunitet i jashtëzakonshëm, nga vullnetarë të shumtë”, tha Rama, raporton KosovaPress.

Për hapjen e kësaj biblioteke foli edhe ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, i cili tha se ky moment përfaqëson më tepër sesa hapjen e një hapësire fizike, e që sipas tij, ajo që e bën këtë moment edhe më domethënës është fakti se ai pasqyron një përpjekje kolektive.

“Kjo bibliotekë nuk është vetëm rezultat i bashkëpunimit institucional, ajo është produkt i bashkimit të një komuniteti më të gjerë. Autoritetet lokale, partnerët zhvillimorë, misionet diplomatike, edukatorët dhe, më e rëndësishmja, vetë fëmijët që janë në zemër të kësaj nisme. Biblioteka e fëmijëve është një vend ku fëmijët zbulojnë gëzimin e leximit, zhvillojnë imagjinatën e tyre dhe krijojnë lidhje me të tjerët. Përtej librave, një hapësirë e tillë kontribuon në zhvillimin intelektual, social dhe emocional të fëmijëve. Ajo ofron një mjedis të sigurt dhe mikpritës ku kurioziteti inkurajohet, kreativiteti kultivohet dhe vetëbesimi mund të rritet. Rikthimi i kësaj biblioteke pas dëmtimeve ka të bëjë me rikthimin e mundësive, rikthimin e kuriozitetit dhe rikthimin e ndjenjës së komunitetit për anëtarët më të rinj të shoqërisë. Luksemburgu ka qenë i kënaqur të kontribuojë në këtë përpjekje. Ky kontribut plotëson punimet e rëndësishme infrastrukturore të realizuara nga Komuna e Prishtinës. Ky është një shembull i qartë se si partneritetet e forta ndërmjet autoriteteve lokale, partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit më të gjerë mund të sjellin rezultate konkrete dhe domethënëse. Për fëmijët, përfshirë edhe fëmijët e mi sot, kjo bibliotekë është për ju. Është hapësira juaj për të eksploruar, për të mësuar, për të imagjinuar dhe për të ëndërruar. Shpresojmë që ta shfrytëzoni sa më shumë”, tha ambasadori Dietz, raporton KosovaPress.

Kurse, drejtoresha e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vaschenko, tha se si fëmijët, ashtu edhe të rriturit kanë nevojë për këtë hapësirë për t’u lidhur me njëri-tjetrin, për të mësuar empatinë, për të ëndërruar e eksploruar.

Dhe unë me të vërtetë shpresoj që kjo hapësirë, përveçse do të sjellë libra të mrekullueshëm, të jetë një vend ku fëmijët do të gjejnë kreativitetin e tyre, do ta shfaqin kuriozitetin e tyre, do të bëjnë pyetje, do të rriten dhe do të zhvillohen. Si UNICEF, ne jemi vërtet krenarë që e mbështesim këtë iniciativë. Dua ta falënderoj secilin prej jush që kujdeset për fëmijët. Qofshin fëmijët tuaj, vëllezërit apo motrat tuaja, mbesat dhe nipërit tuaj, apo thjesht fëmijët e Kosovës dhe fëmijët e botës. Kaloni më shumë kohë me fëmijët. Investoni te fëmijët.

Në fund, ishte Kristale Rama, ideatorja e këtij projekti ajo që e mori fjalën, ku tha se para tri viteve, biblioteka që u hap sot ishte vetëm në imagjinata, biseda e skica

“Një bibliotekë është një nga të paktat vende në tokë ku heshtja është e gjallë me aventura. Dhe po ashtu edhe përkushtimi i qetë i njerëzve që dhanë kohën, energjinë, talentin dhe zemrën e tyre për të krijuar këtë oazë për fëmijët e qytetit tonë. ‘Library Project Kosova’ është një program shumëdimensional që funksionon me pasion. Dhe siç dëgjuat nga Ardiana në shqip, falë ndërhyrjes së tyre në shkollat e Prishtinës ka 2,000 lexues më shumë, së bashku me një bibliotekë të re të bukur, e cila tani është pjesë e sistemit ‘Hivzi Sulejmani’”, tha ajo.