Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, ç’thotë për Kosovën?

Shtetet e Bashkuara thonë se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe avancimi i interesave ekonomike amerikane në rajon e bëjnë SHBA-në “më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”, sipas një dokumenti të ri të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH). Raporti thotë se “kontestet e pazgjidhura dhe ndasitë e mbetura e minojnë stabilitetin rajonal”.…

Lajme

22/05/2026 22:13

Shtetet e Bashkuara thonë se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe avancimi i interesave ekonomike amerikane në rajon e bëjnë SHBA-në “më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”, sipas një dokumenti të ri të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH).

Raporti thotë se “kontestet e pazgjidhura dhe ndasitë e mbetura e minojnë stabilitetin rajonal”.

Dokumenti është publikuar në faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Shtetit, me titullin “Politika e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Ai lidhet me një kërkesë të Kongresit amerikan nga janari i këtij viti, sipas së cilës sekretari i Shtetit duhej t’u dorëzonte komisioneve përkatëse të Kongresit një raport për politikën e SHBA-së për nxitjen e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.

Dokumenti e paraqet Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike të Shteteve të Bashkuara.

Ai thekson se angazhimi amerikan në rajon po kalon nga qasja e dikurshme e “shpëtimit apo rindërtimit” drejt një politike të bazuar në stabilitet, partneritete me përfitim të ndërsjellë dhe përgjegjësi më të madhe të aktorëve lokalë.

Prioritetet kryesore përfshijnë ruajtjen e stabilitetit rajonal, kundërshtimin e ndikimit keqdashës të Rusisë dhe Kinës, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, investimet në energji dhe infrastrukturë, luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Lidhur me luftimin e kërcënimeve ndaj SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, dokumenti i veçon Rusinë dhe Kinën si aktorë që “kërkojnë në mënyrë aktive të shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë, korrupsionin dhe qeverisjen e dobët” në rajon.

Sipas dokumentit, Moska “nxit pakënaqësi etnike, financon aktorë destabilizues dhe përdor furnizimet me hidrokarbure për të ushtruar presion mbi politikanët”, ndërsa Kina përdor tregtinë, kreditë shtetërore, ryshfetin, propagandën dhe lidhjet me elitat për të zgjeruar ndikimin e saj.

Raporti po ashtu thotë se grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor përbëjnë “kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe territorin amerikan”, duke përmendur lidhjet e tyre me kartelet e drogës, trafikimin e narkotikëve, migrimin e paligjshëm, pastrimin e parave dhe krimin kibernetik.

“Kjo administratë do t’i çmontojë dhe shpërbëjë këto rrjete kudo që ato veprojnë, siç u dëshmua në vitin 2025 me përcaktimin e disa shtetasve të Ballkanit Perëndimor të lidhur me kartelet e shpallura organizata të huaja terroriste, që veprojnë në Hemisferën Perëndimore”, thuhet në raport.

Çfarë thotë dokumenti për Kosovën?

Për Kosovën, dokumenti thekson se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta inkurajojnë atë dhe Serbinë për të bërë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme, të negociuar dhe të pranueshme për të dyja palët.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve më 2023 në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili mbështetet nga SHBA-ja.

Por, asnjëri vend nuk ka bërë hapa për ta zbatuar atë deri më tani.

Ndërkohë, lidhur me sigurinë, Uashingtoni thotë se “trupat amerikane vazhdojnë të marrin pjesë në KFOR, të cilin e cilëson si komponent kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë”.

Dokumenti po ashtu thekson mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale, si dhe përmend modernizimin e termocentraleve me qymyr dhe projektet e gazifikimit të qymyrit në Kosovë si pjesë të prioriteteve energjetike në rajon.