MPB alarmon qytetarët që po marrin mesazhe mashtruese në emër të saj: As ne, as Policia nuk dërgojmë SMS për shkelje në trafik

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njofton qytetarët se ditëve të fundit janë raportuar raste të mesazheve mashtruese (SMS), të cilat pretendojnë të jenë dërguar nga Ministria lidhur me shkelje të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor. Në këto mesazhe përfshihen vegëza (links) të cilat janë të rreme dhe kanë për qëllim keqpërdorimin e të…

Lajme

22/05/2026 20:13

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njofton qytetarët se ditëve të fundit janë raportuar raste të mesazheve mashtruese (SMS), të cilat pretendojnë të jenë dërguar nga Ministria lidhur me shkelje të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Në këto mesazhe përfshihen vegëza (links) të cilat janë të rreme dhe kanë për qëllim keqpërdorimin e të dhënave personale ose financiare të qytetarëve, transmeton lajmi.net.

MPB bën thirrje që qytetarët t’i injorojnë këto mesazhe, të mos klikojnë në linke dhe të mos japin informacion personal ose bankar.

Ministria sqaron se kompetencat për shqiptimin e gjobave për kundërvajtje në trafik i takojnë Policisë së Kosovës, dhe as ajo dhe as Policia nuk dërgojnë SMS për shkelje eventuale në trafik, apo nuk kërkojnë pagesa përmes vegëzave elektronike.

MPB thekson se qëndron e përkushtuar në mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet kibernetike dhe në informimin e drejtë për të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë publike.

Komunikata e plotë:

NJOFTIM PËR QYTETARË
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se ditëve të fundit shumë qytetarë kanë pranuar mesazhe (SMS) mashtruese, të cilat paraqiten kinse janë dërguar nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me shkelje të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Në këto mesazhe përfshihen edhe vegëza (links) për klikim, të cilat janë mashtruese dhe kanë për qëllim keqpërdorimin e të dhënave personale apo financiare të qytetarëve. Këto mesazhe nuk janë reale dhe përbëjnë tentativë mashtrimi (phishing), andaj ftojmë qytetarët që t’i injorojnë, të mos klikojnë në vegëzat e dërguara në këto mesazhe dhe të mos japin të dhëna personale apo bankare.
Ministria e Punëve të Brendshme sqaron opinionin publik se kompetencat për shqiptimin e gjobave për kundërvajtje në trafik i takojnë Policisë së Kosovës dhe jo Ministrisë së Punëve të Brendshme. Për më tepër, Ministria e Punëve të Brendshme e as Policia e Kosovës nuk dërgojnë SMS për shkelje eventuale në trafik dhe as nuk kërkojnë pagesa përmes vegëzave (links) të dërguara me mesazh.
Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar në informimin e drejt dhe mbrojtjen e qytetarëve nga format e ndryshme të mashtrimeve kibernetike./lajmi.net/