Janez Jansha merr drejtimin e qeverisë së Sllovenisë për herë të katërt
Janez Jansha është zgjedhur të premten kryeministër i ri i Sllovenisë, duke marrë për herë të katërt drejtimin e qeverisë së vendit. Asambleja Shtetërore e Sllovenisë e ka votuar liderin e Partisë Demokratike Sllovene (SDS) me 51 vota pro dhe 36 kundër në një votim të fshehtë, raportoi agjencia STA. Me këtë votim, Jansha ka…
Lajme
Janez Jansha është zgjedhur të premten kryeministër i ri i Sllovenisë, duke marrë për herë të katërt drejtimin e qeverisë së vendit.
Asambleja Shtetërore e Sllovenisë e ka votuar liderin e Partisë Demokratike Sllovene (SDS) me 51 vota pro dhe 36 kundër në një votim të fshehtë, raportoi agjencia STA.
Me këtë votim, Jansha ka marrë mandatin për formimin e qeverisë së tij të katërt, e cila do të jetë qeveria e 16-të në historinë e Sllovenisë. Brenda 15 ditësh, ai duhet t’i propozojë parlamentit emrat e ministrave të rinj.
Pas zgjedhjes, Jansha ka bërë betimin para deputetëve, duke premtuar se do të respektojë rendin kushtetues dhe do të punojë “me të gjitha forcat për të mirën e Sllovenisë”.
Një ditë më parë, ai kishte nënshkruar marrëveshje koalicioni me partitë Sllovenia e Re (NSi), Partia Popullore Sllovene (SLS), Fokus dhe Demokratët, me të cilat po formon shumicën qeverisëse. Mbështetje për Janshën kanë dhënë edhe deputetët e partisë Resnica, megjithëse kjo parti nuk do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar.
Koalicioni i ri ka 48 nga 90 ulëset në parlament, ndërsa Jansha pritet të sigurojë mbështetje shtesë edhe nga deputetët e pakicave kombëtare dhe një deputet opozitar.
Në prioritetet e qeverisë së re, Jansha ka përmendur përfundimin e procesit të demokratizimit, zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe decentralizimin dhe uljen e burokracisë.
Jansha njihet si politikan populist dhe mbështetës i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Qeveria e re do ta pasojë kabinetin në largim të Robert Golobit, i cili, megjithëse kishte fituar zgjedhjet e marsit me rezultat të ngushtë, nuk arriti të formojë qeverinë.