“Qesharake dhe jonjerëzore”, Azemi thotë se vendimi prej 100 eurosh ndaj punëtorëve privatë është diskriminues
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e nga 100 eurove për studentët, pensionistët, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat në kuadër të pakos “Inflacioni 2.0”. Në një konferencë për media, Azemi tha se punëtorët e sektorit privat janë diskriminuar…
Lajme
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e nga 100 eurove për studentët, pensionistët, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat në kuadër të pakos “Inflacioni 2.0”.
Në një konferencë për media, Azemi tha se punëtorët e sektorit privat janë diskriminuar në raport me ata të sektorit publik, duke theksuar se dallimi në mbështetje financiare është i madh dhe i padrejtë.
“Sot këtë konferencë për shtyp e kemi sjellur lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me pakon e Inflacionit 2.0. Realisht ne mendojmë që sa herë që merr veprime Qeveria e Kosovës, që të stimulojë punëtorët, edhe publik, edhe privat, krijon një ndasi aq të madhe saqë është diçka e paparashikueshme”, deklaroi Azemi.
Ai tha se derisa punëtorët e sektorit publik kanë përfituar paga të 13-ta në vlerë prej rreth 65 milionë eurosh, sektori privat sipas tij do të përfitojë vetëm rreth 20 milionë euro në total.
“Punëtorët e sektorit publik morën rreth 65 milionë euro, përderisa për punëtorët e sektorit privat, në bazë të një llogaritmi që unë e kam bërë, diku do t’i kushtojë kjo pako rreth 20 milionë euro. Punëtorët e sektorit publik kanë marrë mesatarisht 750 euro për pagën e 13-të, ndërsa punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm nga 100 euro për një punëtor”, tha ai.
Sipas Azemit, diskriminimi thellohet edhe më shumë me kriteret e vendosura për përfitim.
“Në një farë forme degradimi tjetër është që na e kanë bërë, sepse punëtorët e sektorit publik kanë marrë edhe ata që kanë pagë mbi 1000 euro, kurse tek punëtorët e sektorit privat ky vendim nuk vlen dhe punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm ata të cilët e kanë pagën nën 1000 euro”, u shpreh Azemi.
Ai akuzoi Qeverinë se vendimi është marrë për arsye elektorale dhe jo për mbështetje reale të punëtorëve.
“Qeveria nuk e ka bërë nga vullneti, po e ka bërë nga përfitimet e saj personale, sepse ju e dini që jemi në prag të zgjedhjeve. Unë kam menduar që minimumi çka do të bëhej do të ishte së paku ndarja e një gjysmë page për punëtorët e sektorit privat, por të bien në nivelin e 100 eurove, kjo me të vërtetë është qesharake dhe jo njerëzore”, deklaroi ai.
Azemi tha se shumica e punëtorëve privatë mund të mbesin jashtë kësaj skeme për shkak të mungesës së kontratave dhe problemeve me kontributet pensionale.
“Jemi të bindur që nuk do të arrijnë as shifra 100 mijë punëtorë që do ta marrin këtë stimulim qesharak, sepse pjesa dërrmuese e punëtorëve të sektorit privat nuk kanë fare kontrata pune. Një pjesë e madhe e tyre nuk kanë njohuri se si t’i mbushin aplikacionet dhe unë mendoj që edhe këtu është bërë një dredhi”, tha ai.
Në fund, ai theksoi se sektori privat vazhdon të mbetet më i dëmtuari në vend.
“Kur e rrumbullaksojmë të gjithë këtë, 300 mijë punëtorë të sektorit privat të Kosovës po marrin 20 milionë euro, përderisa tek punëtorët e sektorit publik, 85 mijë kanë marrë 65 milionë euro”, përfundoi Azemi.