Mashtrim me kriptovaluta në Ferizaj, aktakuzë ndaj tre personave
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të dyshuar për mashtrim me kriptovaluta, përmes një skeme të organizuar që synonte përfitim të kundërligjshëm financiar. Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit me inicialet A.L., R.J. dhe V.N. dyshohen se më 17 prill 2026, në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj, kanë mashtruar disa persona…
Lajme
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të dyshuar për mashtrim me kriptovaluta, përmes një skeme të organizuar që synonte përfitim të kundërligjshëm financiar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit me inicialet A.L., R.J. dhe V.N. dyshohen se më 17 prill 2026, në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj, kanë mashtruar disa persona duke u paraqitur si posedues të kriptovalutës USDT dhe duke premtuar transferim përmes “wallet”-it digjital.
Hetimet kanë zbuluar se të dyshuarit kishin marrë me qira një lokal ku kishin organizuar takimin me të dëmtuarit. Ata arritën t’u marrin viktimave 12 mijë euro, të cilat i futën në një çantë dhe i fshehën në një dollap të modifikuar me vrimë nga pjesa e pasme, përmes së cilës i larguan paratë pa u vënë re.
Sipas Prokurorisë, të njëjtit kishin planifikuar edhe një tjetër transaksion fiktiv me kriptovaluta në Kaçanik, ku synonin të përfitonin 50 mijë euro nga persona të interesuar për blerje të USDT-së.
Ndërkaq, dy nga të pandehurit, A.L. dhe R.J., akuzohen edhe për një rast tjetër mashtrimi në vitin 2024 në Ferizaj, ku përmes kontakteve në aplikacionet “Telegram”, “Viber” dhe “WhatsApp”, kishin mashtruar një person duke i marrë 2 mijë euro me premtimin për transferim të kriptovalutave.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.