MAShT reagon për rastin e drejtorit të dyshuar për ngacmim seksual në Gjakovë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka reaguar lidhur me rastin e raportuar në komunën e Gjakovës për ngacmim seksual nga ana e drejtorit të një institucioni arsimor, duke shprehur shqetësim të thellë. Në komunikatën zyrtare bëhet e ditur se menjëherë pas marrjes së informatave për rastin, Inspektorati i Arsimit ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe…
Lajme
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka reaguar lidhur me rastin e raportuar në komunën e Gjakovës për ngacmim seksual nga ana e drejtorit të një institucioni arsimor, duke shprehur shqetësim të thellë.
Në komunikatën zyrtare bëhet e ditur se menjëherë pas marrjes së informatave për rastin, Inspektorati i Arsimit ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjakovë, me qëllim sigurimin e informatave relevante për veprimet institucionale të ndërmarra.
Sipas të dhënave të pranuara nga autoritetet komunale, Komisioni disiplinor ka marrë vendim për pezullimin e drejtorit nga marrëdhënia e punës.
Ministria thekson se çdo formë e ngacmimit seksual, dhunës dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare në institucionet arsimore është e papranueshme dhe e dënueshme.
Po ashtu, theksohet se institucionet arsimore duhet të jenë mjedise të sigurta dhe mbrojtëse për çdo fëmijë dhe nxënës, ndërsa çdo veprim i dyshuar që cenon integritetin dhe dinjitetin e të miturve duhet të trajtohet me seriozitet maksimal nga organet kompetente.
MASh pret që rasti të trajtohet me prioritet, profesionalizëm dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, deri në një vendim përfundimtar, duke garantuar mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të nxënësve dhe besimin në institucionet publike.
Ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet lidhur me rastin dhe të ofrojë mbështetje institucionale në kuadër të kompetencave të saj.
Ndryshe, Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjakovë ka njoftuar gjatë ditës se ka suspenduar drejtorin e shkollës “Pjetër Bogdani” në Demjan, pas publikimit të rastit në media dhe dyshimeve për ngacmim seksual ndaj një nxënëseje 17-vjeçare. Sipas DKA-së, procedurat disiplinore janë iniciuar menjëherë pas njoftimit, ndërsa rasti po trajtohet në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë.