“Kjo krizë nuk është e re”, Abrashi kritikon opozitën për bllokim të proceseve
Artan Abrashi nga Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar opozitën se po bllokon institucionet dhe po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja. Abrashi tha se në kushte normale do të duhej të diskutohej për të arriturat e qeverisë dhe proceset e rregullta shtetërore pas zgjedhjeve, por sipas tij, vendi po përballet me krizë të vazhdueshme politike.…
Lajme
Artan Abrashi nga Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar opozitën se po bllokon institucionet dhe po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja. Abrashi tha se në kushte normale do të duhej të diskutohej për të arriturat e qeverisë dhe proceset e rregullta shtetërore pas zgjedhjeve, por sipas tij, vendi po përballet me krizë të vazhdueshme politike.
“Nuk ka dyshim këtu. AAK-së i urojmë suksese. I duhet një punë e madhe. Me të drejtë, në kushte normale është dashur me kanë tu diskutu për të arriturat e qeverisë, proceset e rregullta normale që i kalon një vend sidomos mas një procesi zgjedhor që përfundoi para disa muajsh. Jemi këtu për zgjedhje të parakohshme”, deklaroi ai.
Sipas Abrashit, dështimi për zgjedhjen e presidentit është pjesë e një skenari të opozitës për ta bllokuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe institucionet e Kosovës.
“Dështimi i zgjedhjes së presidentit është hapi i radhës që fatkeqësisht opozita e ka në skenarin e saj me blloku VV duke e bllokuar shtetin e Kosovës”, u shpreh Abrashi në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini.
Ai shtoi se kjo qasje, sipas tij, po i shkakton vendit pasoja politike dhe financiare.
“Kjo formë destruktive është duke i shkaktuar pasoja financiare dhe politike. Sa herë që po iu jepet rasti, këta po e bllokojnë Kosovën duke e dërguar në zgjedhje”, tha ai.
Tutje, Abrashi deklaroi se sfida politike ka nisur që nga shkurti i vitit 2025, fillimisht me pamundësinë për zgjedhjen e kryetarit të vendit dhe më pas të kryeministrit.
“Nuk e kanë problemin me Lëvizjen Vetëvendosje e Albin Kurtin, por me vendimin e popullit të Kosovës. Po iu pengon vullneti i sovranit i shprehur në mënyrë demokratike”, deklaroi Abrashi.