Komuna e Prishtinës nis shërbime falas shëndetësore në Gërmi çdo të shtunë

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se çdo të shtunë, nga ora 09:00, një ekip i urgjencës mobile i përbërë nga mjek dhe staf teknik do të jetë i pranishëm në Parkun e Gërmisë për të ofruar matje falas të shtypjes së gjakut dhe treguesve të tjerë bazikë shëndetësorë. Sipas njoftimit, kjo iniciativë është pjesë e…

Lajme

20/05/2026 19:47

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se çdo të shtunë, nga ora 09:00, një ekip i urgjencës mobile i përbërë nga mjek dhe staf teknik do të jetë i pranishëm në Parkun e Gërmisë për të ofruar matje falas të shtypjes së gjakut dhe treguesve të tjerë bazikë shëndetësorë.

Sipas njoftimit, kjo iniciativë është pjesë e planit trevjeçar për avancimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe promovimin e shëndetit publik.

“Kryeqyteti, në kuadër të planit trevjeçar për avancimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe promovimin e shëndetit publik, ka përfshirë Parkun e Gërmisë në programin formal të qeverisjes komunale si një iniciativë konkrete për përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se bashkëpunimi mbështetet në praktikat më të mira ndërkombëtare, përfshirë modelin e National Health Service, ku aktiviteti fizik rekomandohet si pjesë e kujdesit parësor shëndetësor për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike.

Sipas njoftimit, lëvizja e rregullt ndikon në uljen e rrezikut nga diabeti, hipertensioni dhe sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa aktiviteti fizik në komunitet ndihmon edhe në reduktimin e stresit, ankthit, depresionit dhe izolimit social.

“Çdo të shtunë, në orën 09:00, në Parkun e Gërmisë, organizohen ecje dhe vrapime rekreative në distanca prej 2 dhe 5 kilometrash”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas Komunës së Prishtinës, pjesëmarrja është falas, pa karakter garues dhe e hapur për të gjitha grupmoshat, pavarësisht nivelit të përgatitjes fizike.