Ekspozita me pasaktësi për masakrat, Koci: Gashit ia kthyen telefonin e laptopin, pres që rasti të mbyllet shpejt

Arianit Koci, avokat i Shkëlzen Gashit, autorit të ekspozitës me pasaktësi për masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë, tha se atij Prokuroria Speciale ia ka kthyer telefonin dhe laptopin, të cilët i ishin marrë më 30 mars pasi Policia i shkoi në banesë. Koci tha në një postim në Facebook se pret që rasti të…

Lajme

20/05/2026 14:39

Arianit Koci, avokat i Shkëlzen Gashit, autorit të ekspozitës me pasaktësi për masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë, tha se atij Prokuroria Speciale ia ka kthyer telefonin dhe laptopin, të cilët i ishin marrë më 30 mars pasi Policia i shkoi në banesë.

Koci tha në një postim në Facebook se pret që rasti të mbyllet shpejt.

Përveç kësaj, ai tha se “ka ardhë koha me u ulë tensionet”, ndërsa tha se Gashit i kanë thënë se nuk është dashur ta angazhonte atë si avokat, pasi s’është me partinë në pushtet.

Postimi i avokatit Arianit Koci:

“Xen, pse e ke marrë Kocin si avokat? Nuk është me neve” – i kanë thënë kur e kam marrë përsipër mbrojtjen e tij.

“A nuk pate punë tjetër veç me e mbrojtë Xenin a? Plus, është me VV-në dhe shok i Albinit” – më thonin pala tjetër, mua.

Xeni më ka angazhu sepse mendon që jam avokat i mirë.

Jo çdo raport mes njerëzve kalon kah politika.

Kjo ndarja në “tanët” dhe “atyne” na ka lodhë krejtve.

Ka ardhë koha, me u ulë tensionet!

P.S.

Laptopi dhe telefoni i janë kthyer nga Prokuroria Speciale.

Pres që edhe rasti me u mbyllë shpejt.