Prokuroria Speciale i kundërpërgjigjet Kurtit për deklarim rreth Blerim Isufajt: Nuk komentojmë deklarata kur ato janë të pavërteta

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë mbrëmë ka sulmuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj. Ai ka thënë se Kosovës i duhet një kryeprokuror i ri dhe se Isufaj duhet të largohet, pasi sipas Kurtit, gjendja në Prokurori është për shkak të Blerim Isufajt, transmeton lajmi.net. “Duhet një kryeprokuror i ri,…

Lajme

19/05/2026 14:07

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë mbrëmë ka sulmuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Ai ka thënë se Kosovës i duhet një kryeprokuror i ri dhe se Isufaj duhet të largohet, pasi sipas Kurtit, gjendja në Prokurori është për shkak të Blerim Isufajt, transmeton lajmi.net.

“Duhet një kryeprokuror i ri, jo Blerim Isufaj. Unë po them kush s’duhet të jetë. A e kuptoni në çfarë gjendje jemi për shkak të një personi. Sa i përket prokurorisë shumica e problemeve kanë emër të përveçëm e që është Blerim Isufaj. Duke qenë që unë nuk jam Luigji XIV atëherë Kuvendi duhet ta bëjë reformimin me proces të Vettingut dhe Byrosë së Pasurisë së Pajustifikueshme. Luigji XIV e ka sjellë këtë kryeprokuror dhe po akuzohem unë”, ka thënë Kurti në “Interaktiv” të KTV-së.

E, këtyre sulmeve, ka vendosur të mos ju përgjigjet Isufaj. Në një njoftim nga Prokuroria Speciale thuhet që Isufaj nuk komenton deklarata me karakter politik dhe ato që nuk mbështeten në fakte.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, rithekson përkushtimin ndaj ushtrimit të pavarur, profesional dhe të panashëm të mandatit të saj, në funksion të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së interesit publik.
Prokuroria Speciale dhe Kryeprokurori i saj, z.Blerim Isufaj, nuk komentojnë deklarata me karakter politik, veçanërisht në rastet kur ato janë të pavërteta dhe nuk mbështeten në fakte apo procedura zyrtare institucionale.
PSRK, vlerëson se besueshmëria, integriteti institucional dhe profesional ndërtohen mbi punën, transparencën, llogaridhënien dhe respektimin e ligjit, e jo mbi deklarata politike.
Prokuroria Speciale dhe Kryeprokurori i saj do të vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.”, thuhet në komunikatë./lajmi.net/