Aksion i madh policor pas hetimeve disamujore, arrestohen gjashtë të dyshuar për vjedhje të rënda në tri qytete
Pas një hetimi disamujor, Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale “vjedhje e rëndë”. Sipas policisë, gjatë zhvillimit të hetimeve janë siguruar prova që të dyshuarit, në bashkëveprim, dyshohet se kanë qenë të përfshirë të paktën në një rast të vjedhjes…
Lajme
Pas një hetimi disamujor, Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale “vjedhje e rëndë”.
Sipas policisë, gjatë zhvillimit të hetimeve janë siguruar prova që të dyshuarit, në bashkëveprim, dyshohet se kanë qenë të përfshirë të paktën në një rast të vjedhjes së rëndë, ndërsa ekzistojnë dyshime se ata lidhen edhe me disa raste të tjera të “vjedhjeve” dhe “vjedhjeve të rënda”.
Hetuesit policorë kanë bërë të ditur se puna po vazhdon për sigurimin e provave shtesë dhe ndriçimin e plotë të rasteve.
Në kuadër të aksionit dhe me autorizim të gjykatës kompetente, janë realizuar kontrolle në disa lokacione në Gjilan, Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar dëshmi materiale, përfshirë tri automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale, si dhe disa telefona celularë.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit, të gjashtë personave u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar. /Lajmi.net/